

Gazetari Blendi Fevziu ka dhënë një koment të drejtpërdrejtë dhe kritik për zgjedhjet parlamentare që po mbahen këtë të diel në Shqipëri.
Në një intervistë për RTSH-në, Fevziu i cilësoi këto zgjedhje si më të zbehtat dhe më pa entuziazëm që ka njohur vendi në 35 vitet e fundit, duke theksuar se fushata elektorale ishte më e dobëta që ka parë ndonjëherë.
“Në këndvështrimin tim janë zgjedhjet më të zbehta dhe më pa entuziazëm, të kthyer në një lloj normaliteti. Këto janë zgjedhjet e fundit të një periudhe politike që kthehen në zgjedhje thjesht për të zgjedhur, pa atë entuziazmin apo frymëzimin që kanë pasur më parë,” u shpreh ai.
Fevziu kritikoi ashpër edhe mënyrën si u zhvillua fushata zgjedhore, duke e konsideruar atë një përballje pa substancë, të zhvendosur kryesisht në rrjete sociale dhe pa asnjë diskutim serioz mbi programe apo ndasi ideologjike.
Sipas tij, gara e vërtetë politike mungoi dhe prandaj edhe qytetarët reaguan me indiferencë.
“Zgjedhjet sot reflektojnë fushatën më të keqe që unë mbaj mend në këto 35 vite në Shqipëri. Nuk pati përballje mbi programet apo ide të mëdha, por vetëm një lëvizje formale në rrjetet sociale. Nuk kishte ide, vetëm prezantim,” tha gazetari.
Fevziu parashikon se në të ardhmen zgjedhjet në Shqipëri do të bëhen gjithnjë e më shumë si në vendet e tjera të Evropës, më të qeta, më të ftohta dhe pa emocionin e dikurshëm.
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






