

Në orën 19:00 është mbyllur zyrtarisht procesi i votimit në të gjithë vendin për zgjedhjet e 11 majit 2025.
Qendrat e votimit kanë përfunduar zyrtarisht pritjen e qytetarëve, ndërsa në shumë zona ka nisur mbyllja e dyerve për ti lënë vendin dorëzimit të votave që pason procesin e numërimit të kutive.
Sipas të dhënave zyrtare të Komisionit Qëndror të Zgjedhjeve pjesëmarrja në votime në nivel kombëtar, deri në orën 18:00, ka qenë 41.29%, një shifër kjo pak më e ulët se në zgjedhjet parlamentare të vitit 2021, ku pjesëmarrja në zgjedhje ishte në nivelin 45.41%, të rreth 3,6 milion zgjedhësve që ishin thirrur për të votuar.
Megjithatë, atmosfera post-zgjedhore është larg normales.
Pavarësisht mbylljes së votimit, incidentet nuk kanë të ndalur.
Në Tiranë, te rruga Marko Boçari është pikasur një zyrë e Partisë Socialiste që opozita e denoncoi siç shihni videon më poshtë si zyrë ilegale për të blerë vota. Zyrtarë të PD si Belind Këlliçi dhe Ardiana Kalaja, si dhe Tedi Blushi i PL, denoncuan Erion Braçen si përgjegjës për këtë zyrë.
Aktualisht ka shumë forca policie pranë kësaj zyre që demokratët sugjerojnë se është në shkelje të ligjit. Kalaja tha se zyra është shumë pranë qendrës së votimit dhe nuk është deklaruar si e tillë pranë autoriteteve.
Kandidatja e PD për deputete Adrian Kalaja ka telefonuar LIVE kreun e SPAK Altin Dumani duk i kërkuar që të ndërhyjë, por s’ka marrë asnjë përgjigje.
Kalaja: Njerëz me lap top u larguan me vrap. Dhe në çantat e tyre ka dyshime që kishte lista zgjedhore, por edhe para. Dhe tani shohim një bandit jashtë dhe një bandit brenda që shantazhon një gazetare. Ne jemi më të vendosur se kurrë për të çuar para ligjit këdo që shkel ligjin. Dhe ne, siguroj qytetarët shqiptarë që do të luftojmë deri ne fund për të mbrojtur votën, për të mbrojtur këtë proces zgjedhor. Është telefonuar numri i SPAK 4 herë dhe 6 herë është telefonuar Policia e Shtetit e nuk ka ardhur askush për të hetuar krimin elektoral….
Nderkohë, në disa bashki janë shënuar raste të tensionuara, ndërkohë që Policia ka vazhduar me shoqërime dhe ndalime lidhur me dyshime për shkelje zgjedhore, përfshirë shumë raste të fotografimit të fletëve të votimit dhe shit-blerjes së votës.
Në Tiranë, Kavajë, Elbasan dhe Librazhd janë raportuar ndërhyrje të Policisë në ose pranë qendrave të votimit dhe shoqërime të qytetarëve që dyshohet se kanë qenë pjesë e veprimtarive të paligjshme.
Rastet janë nën hetim nga prokuroritë përkatëse dhe në disa raste janë sekuestruar edhe prova materiale.
***
Zhvillimet pritet të intensifikohen orët në vijim, ndërsa partitë po përgatiten për të komentuar të dhënat paraprake dhe për të vendosur për hapat e mëtejshëm. /noa.al

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






