

Putini propozon bisedime për paqe në Stamboll, Zelensky kërkon armëpushim të menjëhershëm
Moskë – Presidenti rus Vladimir Putin ofroi të dielën rifillimin e negociatave direkte me Ukrainën, “pa kushte” dhe me synimin për një “paqë afatgjatë”, duke propozuar si datë 15 majin dhe si vendtakim qytetin e Stambollit.
Deklarata e tij erdhi pak orë pasi liderët e Ukrainës, Francës, Gjermanisë, Polonisë dhe Britanisë së Madhe bënë thirrje për një armëpushim 30-ditor pa kushte, për t’i dhënë fund luftës trevjeçare midis dy vendeve.
Putin deklaroi se Moska është e gatshme të ulet në tryezë me autoritetet ukrainase në një takim që mund të organizohet të enjten në Turqi.
Ai i hodhi poshtë paralajmërimet dhe “ultimatumet” e vendeve perëndimore, duke theksuar se nuk do të pranojë asnjë retorikë “antiruse”. Kreu i Kremlinit shtoi se do të flasë me presidentin turk, Recep Tayyip Erdogan, për të mundësuar negociatat.
Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky reagoi në rrjetin social “X”, ku e cilësoi propozimin e Putinit si një “shenjë pozitive” që Rusia po mendon për përfundimin e luftës. Megjithatë, ai theksoi se hapi i parë për çdo paqe reale është një armëpushim i menjëhershëm, i plotë dhe i besueshëm. Zelensky kërkoi që Rusia të konfirmojë zyrtarisht nisjen e armëpushimit duke filluar nga dita e nesërme, 12 maj.
Ndërkohë, presidenti amerikan Donald Trump u shpreh pozitiv për zhvillimet, duke paralajmëruar se nëse Rusia nuk e pranon planin perëndimor për armëpushim, SHBA do të vendosë “sanksione masive” ndaj Kremlinit.
Në platformën e tij “Truth Social”, Trump shkroi: “Një ditë potencialisht e mirë për Rusinë dhe Ukrainën! Mendoni për qindra mijëra jetët që do të shpëtohen nëse kësaj kasaphane i vjen fundi. Unë do të vazhdoj të punoj me të dyja palët për ta bërë këtë të mundur.”
Zhvillimet e fundit japin sinjale për një dritë shprese, por realizimi i një armëpushimi mbetet kyç për të avancuar drejt një zgjidhjeje paqësore dhe të qëndrueshme. /noa.al
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






