

Mirditë – Bllokojnë rrugën dhe akuzohen për vetëgjyqësi dhe kërcënim ndaj pjesëmarrësve në zgjedhje, arrestohen dy persona
Dy persona janë arrestuar në flagrancë në Mirditë pas një ngjarjeje të ndodhur mbrëmjen e djeshme, ku ata dyshohet se kanë bllokuar rrugën dhe kanë kërcënuar persona të përfshirë në procesin zgjedhor.
Specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Mirditë bënë arrestimin në flagrancë të shtetasve:
Ladi Ndoja 45 vjeç, banues në Mirditë, për veprat penale: “Pengimi i qarkullimit të mjeteve të transportit”, “Drejtimi i automjeteve në mënyrë të parregullt”, “Vetëgjyqësia” dhe “Kanosja apo dhunimi ndaj pjesëmarrësve në zgjedhje”;
Amarildo Jushi, 25 vjeç, banues në Mirditë, për veprat penale: “Pengimi i qarkullimit të mjeteve të transportit”, “Vetëgjyqësia” dhe “Kanosja apo dhunimi ndaj pjesëmarrësve në zgjedhje”.
Raportohet se Ladi Ndoja është bashkëshorti i Elda Hotit, kandidate për deputete e Partisë Demokratike.
Ngjarja ndodhi dje më 10 maj 2025, rreth orës 20:20, në lagjen “Donaj” të Rrëshenit, ku këta dy shtetas, duke lëvizur me dy automjete të ndryshme, i kanë bllokuar rrugën automjetit të drejtuar nga shtetasi R. K., 46 vjeç, me pasagjer A. D., të dy banues në Rrëshen. Sipas dy autorëve, ata dyshonin se R. K. dhe A. D. po merreshin me blerje votash.
Pas njoftimit, shërbimet e Policisë ndërhynë, shoqëruan palët në Komisariat dhe nisën veprimet hetimore nën drejtimin e Prokurorisë.
Nga kontrollet e kryera në automjetet e L. N. dhe A. J., u gjetën dhe u sekuestruan lista me të dhëna personash, të dyshuara si lista zgjedhësish. Ndërkohë, në automjetin e shtetasit R. K. nuk u konstatua asnjë send i kundërligjshëm.
Gjithashtu, nga testi i alkoolit rezultoi se shtetasi L. N. drejtonte automjetin në gjendje të dehur, ndërsa drejtuesit e dy automjeteve të tjera rezultuan negativë.
Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Lezhë, për vijimin e hetimeve dhe veprimeve të mëtejshme ligjore.
Njoftimi i plotë:
Mirditë
Specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Mirditë kanë bërë arrestimin në flagrancë të shtetasve: -L. N., 45 vjeç, banues në Mirditë për veprat penale “Pengimi i qarkullimit të mjeteve të transportit”, “Drejtimi i automjeteve në mënyrë të parregullt”, “Vetëgjyqësia” dhe “Kanosja apo dhunimi ndaj pjesëmarrësve në zgjedhje”
-A. J., 25 vjeç, banues në Mirditë, për veprat penale “Pengim i qarkullimit të mjeteve të transportit”, “Vetëgjyqësia” dhe “Kanosja apo dhunimi ndaj pjesëmarrësve në zgjedhje”.
Arrestimi i tyre u bë pasi më datë 10.05.2025, rreth orës 20:20, këta shtetas me dy automjetet e tyre i kanë bllokuar rrugën automjetit që drejtohej nga shtetasi R. K., 46 vjeç (drejtues automjeti) dhe A. D. (pasagjer), të dy banues në Rrëshen, me pretendimin se këta shtetas po kryenin veprimtarinë e blerjes së votave.
Shërbimet e Policisë, menjeherë pas marrjes së njoftimit për bllokimin e rrugës në lagjen “Donaj” në Rrëshen dhe konfliktin verbal mes këtyre shtetasve, kanë ndërhyrë, duke shoqëruar palët në Komisariat dhe kanë kryer veprimet hetimore nën drejtimin e Prokurorisë.
Në vijim të veprimeve të kryera, pas kontrollit të ushtruar në automjetet e tyre, konkretisht në automjetet e shtetasve L. N. dhe A. J., shërbimet e Policisë gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale lista me të dhëna personash (të dyshuara si lista zgjedhësish), ndërsa në automjetin e shtetasit R. K. nuk u gjet asnjë send i kundërligjshëm.
Gjithashtu, po në vijim të veprimeve pas kryerjes së testit të alkoolit të tre drejtuesve të automjeteve rezultoi se shtetasi L.N., drejtonte automjetin në gjendje të dehur, ndrësa dy drejtuesit e automjeteve të tjera rezultuan se nuk kishin konsumuar alkool.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Lezhë, për veprime të mëtejshme.
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






