Transmetuar më 10-05-2025, 21:31

Partizani fitoi 1-2 ndaj Dinamos në “Elbasan Arena”, në ndeshjen e vlefshme për vendin e 3-të në “Final Four”.

Dinamovitët festuan pas më shumë se çerek ore lojë. Një asist i Maliqit nga krahët, u shfrytëzua në maksimum nga Dejvi Bregu, i cili nga fare pranë dërgoi topin në rrjetë.

Të kuqtë nuk u pajtuan me rezultatin dhe u hodhën në sulm për të vendosur ekuilibrat. Në fundin e pjesës së parë, Tedi Malaj gjen të papërgatitur mbrojtjen kundërshtare dhe dërgoi shifrat në 1-1.

Partizani e nis në mënyrën më të mirë të mundshme pjesën e dytë. Pas disa pasimesh të bukura, Guxhufi finalizoi si duhet dhe me të djathtën ndëshkoi portierin.

Partizani mbrojti rezultatin, pavarësisht sulmeve të shtuara të Dinamos.

Përfundimisht, ekipi i Gegës renditet i 3-ti, ndërsa të besuarit e Dajës e mbyllin në vendin e katërt.

Me të dyja skuadrat që kanë siguruar Europën, ato tashmë do mendojnë për të planifikuar sezonin e ri futbollistik, me synimin arritjen e suksesit. Kujtojmë që të hënën luhet finalja e madhe e “Final Four”, aty ku do përballet Vllaznia me Egnatian.

Video me golin

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit