Transmetuar më 10-05-2025, 12:16

Sulmuesi i Liverpoolit, Mohamed Salah, ka dhënë një intervistë të gjatë për revistën “France Football”, ku ka prekur disa tema, duke filluar nga dëshira e madhe për ta fituar Premier League këtë sezon: "Ishte objektivi im kryesor. Për herë të parë në karrierën time, i dhashë përparësi kampionatit para Ligës së Kampionëve.

Ishte kaq tronditëse të mos mundnim të festonim me tifozët tanë në vitin 2020 për shkak të pandemisë, ndaj doja me çdo kusht, bashkë me gjithë skuadrën, t’ua dhuronim këtë titull tifozëve tanë dhe qytetit. 9 muaj më vonë, premtimi u mbajt".

Gjatë aventurës së tij me “Reds”, egjiptiani ka pasur shumë partnerë sulmi. Një ndër më jetëgjatët ishte padyshim Sadio Mané. Ata kanë luajtur 223 ndeshje së bashku, nga viti 2017 deri më 2022. Megjithatë, marrëdhënia mes tyre nuk ka qenë gjithmonë pa tensione:

"Po, kam pasur tension me Sadio. Kujdes, kemi qenë profesionistë deri në fund, nuk besoj se kjo ndikoi në skuadër. Është njerëzore të duash dikë më shumë, e kuptoj, por Sadio është një konkurrues i fortë. Jashtë fushe nuk ishim shumë të afërt, por gjithmonë jemi respektuar".

Salah, për shkak të disa episodeve, është cilësuar shpesh si egoist në fushë, sidomos në marrëdhënien me Mané. Sidoqoftë, egjiptiani e kundërshton fort këtë ide:

"Njerëzit mund të mendojnë çfarë të duan, është e drejta e tyre. Personalisht i ftoj të gjithë të shohin faktet: ai që i ka dhënë më shumë asistime Mané-s jam unë (18). Mund të shohim faktet, por sigurisht që është më e lehtë të thuash fraza të tilla, bëjnë lajm, e di si funksionon".

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit