

Me titullin e Ligue 1 tashmë në xhep, PSG është përqendruar te dy finalet që mund t’i japin klubit tripletën historike: finalja e Kupës së Francës kundër Reims më 24 maj dhe ajo e Champions League kundër Interit më 31 maj, në Mynih. Në këto përballje vendimtare, Luis Enrique paraqitet me ide të qarta mbi vlerën e skuadrës së tij dhe mënyrën se si po e menaxhon grupin nga aspekti fizik e mendor.
"Jemi të gjithë gati për të bërë histori, edhe tifozët, – deklaroi trajneri i parizienëve, duke paralajmëruar zikaltërit. – Nëse ka një skuadër që e njoh dhe e meriton ta fitojë Champions-in, është PSG-ja. Sidoqoftë, kalimi në eufori mund të bëhet e rrezikshme".
Pikërisht për këtë arsye, Luis Enrique ka zgjedhur ta menaxhojë me kujdes grupin, duke iu dhënë ditë pushimi lojtarëve si Donnarumma, Hakimi, Marquinhos, Nuno Mendes, Pacho, Ruiz dhe Vitinha.
"Duhet të arrijmë në gjendjen e duhur për të dyja finalet, – shpjegoi trajneri spanjoll. – Është si një ‘puzzle’ për t’u zgjidhur, çdo lojtar ka nevojë për një plan të personalizuar. Objektivi ynë ishte të mbeteshim ende në garë në të gjitha kompeticionet dhe ja ku jemi. Pushimi është shumë i rëndësishëm që lojtarët të vijnë të freskët në dy finalet.
Do të përpiqemi t’iu japim lojtarëve sa më shumë kohë pushimi për ta shkëputur mendjen nga futbolli, për t’u përkushtuar edhe ndaj gjërave të tjera, në një kalendar kaq të ngjeshur. U kemi dhënë një pauzë të shkurtër, objektivi është që të arrijnë të përgatitur për finalet.
Pastaj duhet të jemi sa më konkurrues në stërvitje dhe ndeshje. Nuk ka rëndësi nëse është finale e Kupës së Francës, finale Champions-i apo një ndeshje padeli me miqtë. Do të përpiqemi ta mbyllim me ‘qershinë mbi tortë’, që tifozët e meritojnë, – përfundoi Luis Enrique, duke folur për finalen kundër Interit më 31 maj në Mynih.
– Vitin e kaluar e meritonim të shkonim në finale, këtë vit kemi treguar se e meritojmë të jemi këtu dhe do të përpiqemi ta menaxhojmë sa më mirë. Problemi është se mes nesh dhe Interit, njëri nuk do ta marrë atë që dëshiron".
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






