

Marco Tardelli, një nga figurat më të shquara të futbollit italian, ka shkruar një opinion për “La Stampa”, ku ka vlerësuar në mënyrë të veçantë Simone Inzaghin dhe ekipin e tij, Interin, për rrugëtimin mbresëlënës drejt finales së Ligës së Kampionëve.
“Të gjithë në këmbë për të nderuar punën e madhe të Simone Inzaghit, – shkruan Tardelli. – Tripleta i shpëtoi, por ai ka ende mundësinë të hyjë në histori, duke fituar një Champions që deri më tani është plotësisht i merituar”.
Sipas ish-kampionit të botës, paraqitjet e Interit në këtë edicion kanë treguar jo vetëm cilësinë teknike të ekipit, por edhe karakterin e fortë e përkushtimin e lojtarëve, të cilët “kanë hedhur zemrën përtej pengesave, edhe kur nuk kanë qenë në formën më të mirë fizike”.
Një nga çelësat e këtij suksesi, sipas Tardellit ka qenë pikërisht menaxhimi i skuadrës nga ana e Inzaghit: “Aftësia e Simone për të drejtuar një grup me shumë cilësi, ku secili mund të pretendonte të ishte titullar, ka qenë e jashtëzakonshme. Lojtarë që do të ishin pa diskutim titullarë në skuadra të tjera të mëdha, kanë ditur të presin momentin e duhur dhe ta shfrytëzojnë atë në mënyrën më të mirë”.
Ky moment, sipas tij, ka ardhur pikërisht në përballjen dramatike ndaj Barcelonës në gjysmëfinale, kur gjatë kohës shtesë u realizua “mrekullia e titullarëve nga stoli”.
Tardelli ndalet me emocion edhe te goli i David Frattesi: “Ai vrapim i tij, shikimi i mbushur me mosbesim dhe gëzim…, vetëm ai e di çfarë ka ndjerë. Është një moment që do të mbetet përgjithmonë i gdhendur në zemrën dhe shpirtin e tij”.
Ai e përmbyll analizën duke e cilësuar këtë Inter si një skuadër që ka dëshmuar vlera, durim dhe sacrifice. Pikërisht edhe për këto arsye, fitorja në finalen e Champions-it do të ishte jo vetëm historike, por plotësisht e merituar.
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd