Transmetuar më 10-05-2025, 09:59

Milani e ka bërë përsëri. Sërish, “Djalli” i Sergio Conceição pati nevojë për një goditje (kalimin në distavantazh) që të kalonte në sulm dhe ndryshonte fatin e ndeshjes. Trajneri portugez e shprehu këtë pas përmbysjes së Milanit kundër Bologna:

"Momenti më i bukur i sezonit? Fituam kundër një skuadre që po luan mirë, por nuk bëmë ndeshje të shkëlqyer. Në pjesën e dytë pësuam një gol kur përpiqeshim ta shtonim presionin. Në fund, ndryshuam formacionin dhe kaluam në 4-4-2. Ata që hynë nga stoli dhanë përgjigje shumë të mira, ky është shpirti i skuadrës që më pëlqen.

Nga nesër (sot) fillojmë të përgatisim finalen e Kupës së Italisë. Duhet të analizojmë çfarë kemi bërë mirë dhe çfarë keq sonte. Duhet ta përgatisim sa më mirë për të tentuar të fitojmë. Në finale është kështu: ndonjëherë fiton ai që luan më pak mirë".

Më pas, trajneri portugez lavdëroi Santiago Gimenez, i cili shënoi dopietë, çka e përmbysi ndeshjen: "Santi po punon mirë, është djalë serioz, ka cilësi. Unë flas me të çdo ditë për t’i dhënë një shtysë emocionale. Mos harrojmë se kur erdhi kishte një problem fizik. Tani po rikuperon formën më të mirë. Ne kemi besim tek të gjithë, sonte shënoi dy gola dhe jam i kënaqur për të".

Analiza kaloi më pas në finalen e Kupës së Italisë, që do të luhet të mërkurën e ardhshme: "Nuk e di ende kush do të luajë në finale, ka ende shumë ditë punë. Gimenez po bën mirë. Krahasuar me Luka (Jovic), ai e sulmon më shumë hapësirën. Mos harrojmë se kemi edhe Tammy (Abraham), që ka shënuar gola të rëndësishëm për ne në javët e fundit, dhe Francesco (Camarda). Ata që hynë nga stoli dhanë diçka më shumë, por kjo nuk ka ndodhur vetëm sonte".

Në fund, portugezi foli edhe për të ardhmen dhe mundësinë e qëndrimit të tij te Milani: "Conceição nuk është i rëndësishëm tani. E rëndësishme është të fitojmë të mërkurën dhe të sjellim një tjetër titull për Milanin. Ka hidhërim për atë që kemi bërë këtë vit në kampionat. Nuk është rasti për të folur për veten, do të flas kur të mendoj se është momenti i duhur".

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit