Transmetuar më 10-05-2025, 08:38

Ka histori në futboll, që vlejnë më shumë se një fitore. Ka gola që peshojnë më shumë se një kualifikim. Dhe pastaj ka njerëz si Francesco Acerbi, që nuk janë thjesht futbollistë, por simbole të gjalla të shpirtit njerëzor, të kurajos dhe qëndresës.

Ishte viti 2013 kur diçka e papritur i doli përpara si kundërshtari më i vështirë: diagnoza e kancerit. Një goditje që do ta kishte rrëzuar çdo njeri, por jo Acerbin. Ai zgjodhi të luftonte. Jo vetëm për të luajtur përsëri futboll, por për të jetuar me dinjitet dhe treguar se fuqia e shpirtit e mund edhe sëmundjen më të egër.

Dhe pas më shumë se një dekade nga ajo sfidë, të martën që lamë pas, veshur me fanellën e Interit, ai shënoi një nga golat më të rëndësishëm të karrierës së tij; kundër Barcelonës, në një gjysmëfinale të Champions League. Ajo nuk ishte thjesht një goditje e topit që kaloi portierin dhe çoi zikaltërit drejt finales.

Në fakt ishte një goditje që kaloi kufijtë e sportit dhe preku zemrat e të gjithëve. Ishte një gol për të gjithë ata që po përballen me beteja të padukshme, për ata që janë lodhur, por nuk janë dorëzuar. Ishte një thirrje e tillë: “Unë jam ende këtu. Unë luftova. Dhe fitova”.

Në finalen e Mynihut kundër parizienëve, Interi nuk do të luajë vetëm për një trofe. Zikaltrit do të luajnë për një histori. Për një njeri që ka qenë në skaj të gjithçkaje dhe është kthyer më i fortë. Acerbi është mishërimi i asaj që do të thotë të mos dorëzohesh asnjëherë, edhe kur e gjithë bota duket kundër teje.

Sepse në skuadrën e Simone Inzaghit, fjala “dorëzim” nuk ekziston. Dhe kur në fushë ke zemrën e Acerbit, je gjithmonë një hap më pranë mrekullisë.

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit