

Pas më shumë se dy vitesh e gjysmë bashkë, Bayer Leverkuseni dhe trajneri Xabi Alonso do të ndahen. "Kampionët e Gjermanisë për vitin 2024, fituesit e Kupës dhe Superkupës, kanë pranuar dëshirën e spanjollit për ta ndërprerë kontratën, e cila fillimisht ishte e vlefshme deri në verën e vitit 2026, menjëherë pas përfundimit të këtij sezoni. Në kohën e duhur, Bayer 04 do të njoftojë pasardhësin e tij si trajner i parë", – shkruhet në njoftimin e “Aspirinave”.
Me këtë komunikatë, Bayer Leverkusen ka dhënë lajmin e pritur. "Së bashku me Xabi Alonson kemi shkruar një histori suksesi të padëgjuar më parë në futbollin gjerman, duke fituar kampionatin pa humbur asnjë ndeshje, – tha Werner Wenning, presidenti i komitetit të aksionarëve të Bayer 04. – Si trajner, ai ka qenë gjithmonë një ambasador i jashtëzakonshëm, si për klubin tonë, ashtu edhe për të gjithë Bundesligën. Jemi shumë mirënjohës ndaj Xabi Alonsos për këtë".
Fernando Carro, CEO i Bayer 04, theksoi reputacionin sportiv që klubi ka fituar në nivel kombëtar dhe ndërkombëtar gjatë dy sezoneve e gjysmë të fundit: "Sukseset e arritura nën drejtimin e Xabi Alonsos i kanë dhënë Bayer 04 një njohje të qëndrueshme në botën e futbollit. Ta sjellësh trofeun e kampionit në Leverkusen pa humbje, së bashku me fitoren e Kupës së Gjermanisë, arritjen në finalen e Ligës së Europës dhe fitimin e Superkupës, është diçka madhështore. Jemi shumë krenarë për këtë".
Drejtori sportiv Simon Rolfes e përshkruan epokën e Alonsos si një "gur themeli në zhvillimin e Bayer 04 Leverkusen. Së bashku me Xabin, kemi ndërtuar një skuadër që ka impresionuar të gjithë botën e futbollit për cilësinë sportive dhe mentalitetin e saj. Jemi krenarë për përparimin e madh të klubit dhe pozicionin e tij aktual, i urojmë Xabit gjithë të mirat për angazhimet e ardhshme. Jam i sigurt se rrugët tona do të kryqëzohen sërish".
Largimi nga Leverkuseni shënon fundin e kapitullit të parë të mrekullueshëm të karrierës së Xabi Alonsos si trajner profesionist. "Kam një borxh të madh mirënjohjeje ndaj Bayer 04 Leverkusen, lojtarëve të mi dhe stafit, të gjithë punonjësve të klubit dhe, së fundmi, tifozëve të mrekullueshëm. Suksesi ynë ishte rezultat i një pune të jashtëzakonshme ekipore, – theksoi ish-mesfushori.
– Ky klub, që më besoi pa hezitim, e meritonte me të vërtetë të fitonte kampionatin gjerman për herë të parë. Falënderimet dhe dashuria ime shkojnë për të gjithë ata që ndihmuan të realizohet ky triumf, përfshirë edhe fitoren e Kupës në Berlin. Bayer 04 është gati për të ardhmen. Rruga pozitive do të vazhdojë dhe unë do ta ndjek me interes".
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd