

Qeveria ka vendosur të fshijë t të gjitha gjobat të vendosura, nga data 1 Janar 2015 deri më 30 Nëntor 2024. Ato përfshijnë masa administrative të vendosura nga Policia e Shtetit, Policia Bashkiake, IKMT, AKU dhe Inspektorati Shtetëror Shëndetësor, ndaj individëve apo bizneseve, por që janë të pambledhura.
Lidhur me këtë vendim ka pasur një reagim nga ana e Partisë Demokratike e cila shprehet se ky vendim është në shkelje të kodit zgjedhor në ditën e fundit të fushatës.
PD thekson se me këtë veprim Edi Rama shpërfill hapur rekomandimet e OSBE-ODIHR dhe rezolutën e PPE, e cila e kushtëzon integrimin e vendit me respektimin e ligjeve dhe rregullave të demokracisë.
Deklaratë e Partisë Demokratike të Shqipërisë:
Në shkelje të Kodit Zgjedhor dhe të barazisë në garë, në ditën e fundit të fushatës, Kryeministri në ikje ka firmosur një amnisti të gjerë, duke shkelur arbitrarisht, në mënyrën më anti-europiane të mundshme, ligjin dhe rregullat e garës.
I njëjti që i terrorizoi për 12 vjet me taksa, gjoba dhe përndjekje, tani bën si i mëshirshëm. Nuk ka asnjë pikë dhembshurie në zemrën e tij, por vetëm oreks për të prishur garën, për të ndryshuar vullnetin e zgjedhësve, për të bërë hile, duke përdorur makinerinë e shtetit në ndihmë të partisë.
Ka bërë të njëjtën gjë para dy vjetësh kur, në mes të fushatës, u dha bonus 670 mijë pensionistëve. KQZ në atë rast bëri një interpretim lukashenkian, duke thënë se, në zgjedhje lokale i lejohej, por jo në të përgjithshme. Tani ligji shkelet në zgjedhje të përgjithshme.
Çfarë ka për të thënë z. Celibashi?!
Po SPAK dhe Prokuroria, që kanë ngritur task-forca për manipulimin e zgjedhjeve, çfarë kanë për të thënë për këtë megashkelje?
Në prag të zgjedhjeve, Qeveria fal të gjitha gjobat që nga viti 2015 Partia Demokratike e ka në programin e saj elektoral amnistinë e gjobave dhe të faturave të papaguara, por për shtresat në nevojë, për të pamundurit, jo për abuzuesit.
Premtimi ynë qëndron, por asnjëherë në shkelje të ligjit, dhe në prishje të barazisë në zgjedhje.
Me këtë veprim Edi Rama shpërfill hapur rekomandimet e OSBE-ODIHR dhe rezolutën e PPE, e cila e kushtëzon integrimin e vendit me respektimin e ligjeve dhe rregullave të demokracisë.
Edi Rama është një gjobëvënës: që nga 20 përqindëshi i lejeve si kryebashkiak, dhe deri te qindra milionat e incineratorëve. Me paraqitjen e rrejshme si gjobëfalës në vitin e 12-të të pushtetit, nuk gënjen askënd.
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd