Transmetuar më 09-05-2025, 16:22

Partia Demokratike ka kërkuar shkarkimin e Erion Veliajt si kryebashkiak i Tiranës.

Shkresa iu është dërguar kryetares së Këshillit Bashkiak, Romina Kuko nga kreu i Grupit të Këshilltarëve të Partisë Demokratike, Ilir Alimehmeti.

PD argumenton se Erion Veliaj mungon në detyrë prej 3 muajsh dhe kanë kërkuar mbledhjen e Këshillit Bashkiak më 12 Maj, një ditë pas zgjedhjeve, për shkarkimin e tij sipas legjislacionit në fuqi.

Në ligj thuhet se “Kryetari i bashkisë shkarkohet me vendim të Këshillit të Ministrave në rastet kur (pika c) propozohet për shkarkim nga këshilli bashkiak përkatës për mosparaqitje në detyrë për një periudhë 3 mujore”.

“Kërkojmë mbledhjen e Këshillit Bashkiak të Bashkisë Tiranë, më datë 12 maj 2025, dita e parë e punës pas kalimit të afatit 3-mujor të mosparaqitje të pandërprerë në detyrë të z. Erion Veliaj, me objekt zbatimin e legjislacionit në fuqi dhe propozimin në Këshillin e Ministrave të shkarkimit të z. Erion Veliaj”, shkruhet në dokument.

Erion Veliaj ndodhet pas hekurave që prej datës 10 Shkurt, pasi u arrestua në zyrën e tij në Bashkinë e Tiranës.

Kryebashkiaku ndodhet në paraburgimin e Durrësit.

Postin e tij e ka marrë Anuela Ristani, kryetarja e komanduar nga Kryeministri Edi Rama.

Kërkesa e PD-së:

Të nderuar.

Bazuar në Ligjin Nr. 139/2015 “Për Vetëqeverisjen Vendore, të ndryshuar, neni 62, shkronja e, që shprehet se “Kryetari i bashkisë shkarkohet me vendim të Këshillit të Ministrave në rastet kur (pika c) propozohet për shkarkim nga këshilli bashkiak përkatës për mosparaqitje në detyrë për një periudhë 3 mujore të pandërprerë ju bëjmë me dije se periudha 3-mujore e cituar në ligj përfundon këtë fundjavë. pasi ka filluar më datë 10 shkurt 2025 në ditën e arrestimit z. Erion Veliaj.

Si rrjedhojë, kërkojmë:

Mbledhjen e Këshillit Bashkiak të Bashkisë Tiranë, më datë 12 maj 2025, dita e parë e punës pas kalimit të afatit 3-mujor të mosparaqitje të pandërprerë në detyrë të z. Erion Veliaj, me objekt zbatimin e legjislacionit në fuqi dhe propozimin në Këshillin e Ministrave të shkarkimit të z. Erion Veliaj.

Duke ju falënderuar,

Ilir Alimehmeti, Kryetar i Grupit të Këshilltarëve të Partisë Demokratike

Ilda Zhulali, Nënkryetare e Grupit të Këshilltarëve të Partisë Demokratike

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit