

Berisha thirrje diasporës: Nëse vini të votoni më 11 Maj, do i bëni një shërbim historik vendit. Qytetarët e Tiranës dhe gjithë Shqipërisë të na bashkohen sot në Bulevardin e Ri në një festë madhështore të fitores
Në konferencën për shtyp të mbajtur këtë të premte, kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, i bëri një thirrje të drejtpërdrejtë shqiptarëve të diasporës që të vijnë dhe të votojnë në zgjedhjet e 11 majit, të cilat ai i cilësoi si “përcaktuese për të ardhmen e kombit shqiptar”. Sipas tij, pjesëmarrja e emigrantëve do të ishte një akt historik në mbështetje të vendit.
Berisha theksoi se megjithëse janë vërejtur pengesa në procesin me postën në disa shtete, kjo nuk duhet të dekurajojë qytetarët që kanë mundësi të vijnë fizikisht në Shqipëri për të votuar.
Ai u ndal edhe te mbyllja e fushatës elektorale, duke e cilësuar si më entuziasten dhe më energjiken ndër vite, e zhvilluar “nga qytetarët e lirë” kundër atij që ai e quajti “narkoshtet”. Sipas tij, festa përmbyllëse në Bulevardin e Ri është kulmi i këtij muaji mobilizimi.
Berisha u shpreh i bindur se më 12 maj opozita do të jetë mazhoranca e re në vend dhe e krahasoi reagimin e fundit të kryeministrit Edi Rama me një “shkallmim nervor”, duke iu referuar fjalëve të këtij të fundit për “gijotina” dhe “helme”. Ai sugjeroi se Rama po tregon shenja destabilizimi për shkak të humbjes së afërt.
I pyetur për rolin e këshilltarit amerikan Chris LaCivita në fushatë, Berisha e cilësoi atë si një “faktor madhor të fitores së 11 majit”, duke e krahasuar me suksesin që kishte pasur në SHBA në zgjedhjen e Donald Trump.
Në lidhje me fenomenin e shitblerjes së votës, Berisha deklaroi se e kanë dokumentuar këtë praktikë dhe se është përfshirë edhe në rezolutën e Partisë Popullore Europiane, e cila, sipas tij, akuzon qeverinë Rama për blerje votash përmes parave, drogës, punësimeve, prokurimeve dhe bandave. /noa.al
FJALA E PLOTE:
Së pari një mesazh për diasporën shqiptare, e cila ka qenë shpirti i kësaj fushate elektorale.
Thirrja ime është, cilido prej tyre, që mund të vijë të votojë me datën 11 Maj, i bën një shërbim historik vendit dhe kombit të tij.
11 Maji është dita përcaktuese e të ardhmes së kombit shqiptar.
Qindra mijëra emigrantë u regjistruan për të votuar, por një çrregullim i organizuar u konstatua në dy vende me postën, e cila ka një emër autoritar, të mirë, por që shfaqi parregullsitë më të mëdha.
Kjo, uroj dhe shpresoj, të mos dekurajojë, por përkundrazi, të nxisë çdo qytetar shqiptar jashtë vendit që mund të vijë këto dy ditë dhe të votojë në qendrat e votimit, do ishte një shërbim i jashtëzakonshëm, një rast unik që u jepet për t’i shërbyer vendit.
Së dyti, sot ne mbyllim fushatën më të bukur, më entuziaste, më optimiste, që shqiptarëve të lirë, të njerëzve të lirë në Bulevardin e Ri të kryeqytetit.
Kjo fushatë, për të cilën unë dua të falënderoj me mirënjohje çdo pjesëmarrës nga të katër anët e Shqipërisë, nga Saranda në Tropojë, kjo fushatë u karakterizua me një uragan të vërtetë që buroi nga zemra dhe shpirti i popullit shqiptar.
Dy fushata ecën paralel në territoret e vendit.
Njëra fushata me detyrim e narkoshtetit dhe tjetra fushata e qytetarëve të lirë të vendosur për të përzënë narkoshtetin.
Sonte, kësaj fushate fantastike, që u zhvillua për një muaj, duhet t’i vendosim kurorën më të bukur në ballin e saj, në ballin e Shqipërisë.
Ndaj dhe ftoj qytetarët e Tiranës dhe të gjithë Shqipërisë të bashkohemi sot në Bulevardin e Ri në një festë madhështore të fitores të datës 11 Maj.
PYETJE PERGJIGJE ME GAZETARET
Në cilin prej qarqeve PD-ja mendon se do të bëjë surprizën dhe a besoni se kjo është konferenca e fundit e juaj si kryetar i opozitës.
Sali Berisha: Unë mendoj se e keni të drejtë, shumë të drejtë, kjo do të jetë konferenca e ime e fundit si kryetar opozite, mbasi pas datës 12 maj kjo opozitë, bëhet mazhorancë e Shqipërisë.
E keni ndjerë dhe ju dhe e ka ndjerë çdo shqiptar këtë. Kjo është ndjesia më reale. Por në mënyrën më të frikshme e ka ndjerë Edi Rama.
Ju e patë si shkallmoi mbrëmë në televizion, u shkallmua. Fliste për gijotina, fliste për helme. Çfarë nuk fliste. Dmth, ai mbrëmë kishte nevojë urgjente për mjekim, me ato simptoma që pashë dhe unë jam mjek dhe kam qenë i apasionuar.
Unë jam kardiolog, por më tërhiqte dhe psikiatria, më ka tërhequr.
Në fillim të fushatës, madje kur e keni prezantuar Chris LaCivita e keni prezantuar si magjistar që e bëri njëherë magjinë në SHBA, kur u zgjodh Donald Trump president. Nga ajo që keni parë, nga dita e parë deri a e ka bërë magjinë edhe në Shqipëri?
Sali Berisha: Nga ajo që kam parë, padiskutim. Ai është faktor madhor i kësaj fushate fantastike dhe i fitores së 11 majit, nuk ka diskutim.
Kandidatëve të PD-së u është kërkuar që të japin mesazhe në drejtim të qytetarëve për të mos shitur votën. E njëjta gjë ka ardhur edhe nga Ambasada e SHBA, një reagim. Ka problematikë, e keni identifikuar shitblerjen e votës?
Sali Berisha: E kemi të verifikuar, të vërtetuar absolutisht. Dhe siç e dini ju, rezoluta e Valencias, e Partisë Popullore Europiane, që është organizata më e fuqishme politike e Europës, ka denoncuar Edi Ramën për këto zgjedhje për blerjen e votës me lekë, me kanabis, me punësime, me prokurime, me banda.
Këto thotë rezoluta, janë pesë format me të cilat Edi Rama po blen votat.
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd