

Kuvendi i Kosovës dështoi sërish sot të konstituohet, në përpjekjen e 13-të për të zgjedhur kryetarin e ri të parlamentit. Seanca u ndërpre për shkak të mungesës së kuorumit dhe është caktuar të vazhdojë më 11 maj në orën 10:00.
Procesi i konstituimit ka ngecur në pikën e zgjedhjes së kryekuvendarit, për të cilën Lëvizja Vetëvendosje ka propozuar Albulena Haxhiun. Megjithatë, Partia Demokratike e Kosovës, Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës kanë deklaruar se nuk do ta mbështesin Haxhiun, duke e cilësuar atë si një figurë jo unifikuese.
As në këtë seancë nuk pati përparim. LVV kërkoi sërish formimin e një komisioni ad-hoc për votimin e fshehtë të kandidatit për kryetar Kuvendi, por nuk arriti të sigurojë mbështetjen e nevojshme nga partitë opozitare, përfshirë edhe Nismën.
Kryesuesi i seancës, Avni Dehari, u bëri thirrje partive që të propozojnë anëtarët e komisionit, por debatet mes deputetëve nuk munguan. Deputetja e LDK-së, Hykmete Bajrami, reagoi me fjalët: “Mundesh me na thirr edhe 48 herë, çdo 48 orë, edhe me kërku me propozu dikë”, por i ndërpreu mikrofoni me urdhër të Deharit.
Pas hedhjes në votim, pro formimit të komisionit votuan 56 deputetë dhe një kundër, numër ky i pamjaftueshëm për të siguruar kuorumin e nevojshëm.
“Për kanë votuar 56 deputetë, një ka qenë kundër, nuk kemi kuorum. Shihemi përsëri më 11 maj në orën 10:00”, deklaroi Dehari në fund të seancës.
Lëvizja Vetëvendosje, në koalicion me Guxo dhe Alternativa, ende nuk ka arritur të sigurojë 61 votat e nevojshme për të zgjedhur Albulena Haxhiun në krye të Kuvendit, duke e mbajtur procesin e konstituimit në ngërç institucional.
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd