

Një nga mesfushorët më të mëdhenj të epokës moderne, Kevin De Bruyne, është gjithnjë e më pranë një kthese të bujshme në karrierë. Pas një dekade të artë me Manchester City dhe ndërsa kontrata e tij shkon drejt fundit, belgu po e sheh me interes serioz mundësinë për ta përmbyllur aventurën e tij europiane në Itali, pikërisht me Napolin.
Ajo që deri dje dukej një ide romantike, sot është një skenar që po merr formë konkrete, mbështetur nga ndjenja personale, kontaktet zyrtare dhe një projekt që po merr jetë. Kampioni belg, i cili në qershor mbush 34 vjeç, ka një lidhje të veçantë me tokën napolitane.
Në vitin 2017 zgjodhi Sant’Agnello, pranë Napolit, si vendin ku kurorëzoi martesën me bashkëshorten e tij Michele. Që atëherë, rajoni ka mbetur një pikë referimi për familjen e De Bruyne. Një vend që e tërheq për historinë, klimën dhe stilin e jetesës.
Pikërisht ky dimension personal po bëhet themel për një negociatë që shkon përtej aspektit sportiv. Drejtori sportiv i Napolit, Giovanni Manna, udhëtoi në prill drejt Manchesterit për t’u takuar me lojtarin dhe për t’i paraqitur projektin e ri teknik të klubit.
De Bruyne, sipas burimeve të “Gazzetta dello Sport”, ka qenë shumë i vëmendshëm dhe i hapur ndaj ofertës, i intriguar si nga pjesa teknike, ashtu edhe nga mundësia për të luajtur sërish pranë bashkëkombësit të tij Lukaku. Gjithashtu, një rol jo të vogël mund ta luajë edhe këshilla apo “shtytja” emocionale e Dries Mertens, një tjetër legjendë e Napolit dhe mik i afërt i belgut.
Nga ana e vet, Napoli ka dalë me një ofertë konkrete; kontratë 2-vjeçare me mundësi rinovimi për një vit të tretë, me përpjekje të dukshme për të bindur një futbollist të kalibrit të lartë si De Bruyne. Pengesa kryesore mbetet ajo ekonomike, paga që kërkon lojtari, por klubi është i gatshëm të lëvizë në mënyrë fleksibël për të krijuar kushtet e duhura.
Një tjetër sinjal që tregon seriozitetin e kësaj piste është edhe vizita e fundit e bashkëshortes së De Bruyne në Napoli, e cila ka eksploruar qytetin në kërkim të një shtëpie të përshtatshme dhe shkollave për tre fëmijët e çiftit.
Kjo tregon se aspektet familjare dhe logjistike po merren shumë seriozisht. Tregues se projekti nuk është thjesht sportiv, por një zgjedhje jetese. Në fund të fundit, del qartë se De Bruyne nuk është gati të tërhiqet nga futbolli i nivelit të lartë.
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd