

Eliminimi nga Champions League vazhdon të djegë për Barcelonën, që u rrëzua në mënyrë dramatike në gjysmëfinalen e kthimit kundër Interit në “San Siro”. Pas fitores 4-3 të zikaltërve, mbas kohës shtesë, blaugranat akuzuan gjyqtarin polak Szymon Marciniak për disa vendime që, sipas tyre, i kanë dëmtuar.
"Është e vërtetë, arbitri bëri gabime. Te goli i tretë i Interit ka faull ndaj Gerard Martin, ndoshta edhe prekje me dorë. Por nuk duhet të kërkojmë justifikime", – tha Ronald Araujo në zonën mikse, duke ruajtur një ton të matur. Më i ashpër ishte Gavi, i cili në Instagram shkroi: “Është shumë e rëndë, sidomos kur e dimë sa pranë ishim, culers. Nuk donin që të shkonim në finale, kishin frikë nga sezoni ynë”.
Kritikat u përqendruan në dy episode kyçe: penalltia e dhënë për Interin pas një ndërhyrjeje me rrëshqitje të Cubarsit ndaj Lautaro Martinez në pjesën e parë, si dhe faulli i supozuar i Dumfries ndaj Gerard Martin në aksionin që çoi në golin 3-3 të Acerbi.
Shtypi katalanas reagoi me ashpërsi. “Mundo Deportivo” përmendi simpati të mëhershme të Marciniak për Real Madridin, ndërsa “Sport” shkroi: “Marciniak vendosi ta shuajë ëndrrën heroike të Barçës”.
UEFA e ka mbrojtur arbitrin e saj. E kontaktuar nga “Marca”, organizata kryesore europiane e futbollit tha se “nuk ka asnjë problem” me gjykimin e ndeshjes nga Marciniak, të cilin e konsideron një nga gjyqtarët më të besueshëm në nivel ndërkombëtar. Ai ka arbitruar, ndër të tjera, finalen e Kupës së Botës 2022 mes Argjentinës dhe Francës, si dhe vazhdon të jetë në garë për të gjykuar finalen e Champions-it më 31 maj në Mynih.
Përjashtimi i Clément Turpin dhe François Letexier për shkak se PSG është në finale mund t’i hapë derën pikërisht Marciniak, edhe pse ai nuk është i vetmi kandidat.
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd