

Prishtinë- Kuvendi i Kosovës do të mblidhet sërish sot në tentativën e 13-të për konstituimin e legjislaturës së nëntë. Seanca është caktuar të fillojë në orën 10:00. Konstitutimi i Kuvendit ka hasur në vështirësi të shumta që nga seanca e parë që ishte mbajtur më 15 prill.
Në seancën e kaluar ishin të pranishëm 113 deputetë. Kryesuesi i seancës, Avni Dehari gjatë fjalës së tij propozoi për votim të fshehtë. Partitë opozitare kanë insistuar në qëndrimet e tyre që nuk e përkrahin votimin e fshehtë, pasi është në kundërshtim me rregulloren.
PDK-ja dhe LDK-ja edhe në seancën e 12-të nuk propozuan asnjë emër. Edhe Lista Serbe u është bashkuar partive të tjera duke mos propozuar asnjë emër së bashku me AAK-në. 56 vota ishin për votim të fshehtë, një kundër e asnjë abstenim.
Procesi ka ngecur prej javësh pasi partia fituese, LVV, nuk po arrin t’i sigurojë votat e nevojshme për kandidaten e saj për kryetare të Kuvendit, Albulena Haxhiu. Ajo shihet nga disa parti parlamentare si "figurë përçarëse", por LVV ngul këmbë se ajo është kandidate e denjë për atë post.
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd