

Chris LaCivita nga Shkodra: “Koha për ndryshim – shqiptarët duhet të rrëzojnë korrupsionin dhe të votojnë për të ardhmen”
Këshilltari politik amerikan Chris LaCivita, i njohur për angazhimin e tij në fushata elektorale në Shtetet e Bashkuara, mori pjesë në një takim elektoral në Shkodër ku mbajti një fjalim në mbështetje të liderit të opozitës Sali Berisha dhe aleancës së tij politike.
Gjatë deklaratës, LaCivita bëri thirrje për pjesëmarrje masive në zgjedhjet e 11 majit, duke e përshkruar këtë moment si vendimtar për të ardhmen e Shqipërisë.
Në nisje të fjalës së tij, ai përmendi me tone personale një ditëlindje të një mikeje të tij në Washington, për të theksuar më tej ndjesinë e lidhjes midis SHBA dhe Shqipërisë: “Jam i nderuar që jam këtu, në vendin ku nisi lufta për lirinë shqiptare. Ju ishit të parët që rrëzuat monumentin e një prej vrasësve më të mëdhenj të historisë, Joseph Stalin.”
Duke iu referuar situatës aktuale politike, LaCivita u shpreh: “Tani ka ardhur koha të rrëzoni një tjetër monument të dështuar, Edi Ramën. Rrëzoni korrupsionin! Rrëzoni dështimin ekonomik! Rrëzoni varfërinë!”
Ai e theksoi se vlerat që përfaqësojnë Shtetet e Bashkuara janë të lidhura me lirinë, të drejtat e individit dhe dinjitetin njerëzor, duke përmendur edhe raportin historik mes SHBA dhe Sali Berishës.
“Ne besojmë se çdo njeri ka të drejtën e dhënë nga Zoti për të jetuar, për të punuar, për të rritur familjen dhe për të adhuruar Zotin që zgjedh vetë. Dr. Berisha ka ndërtuar marrëdhënie historike me Shtetet e Bashkuara. Ne kemi besim tek ai,” tha ai.
Në fund të fjalimit, LaCivita lëshoi një thirrje direkte për veprim politik dhe pjesëmarrje në votime: “Vetëm ju mund ta shpëtoni të ardhmen e Shqipërisë. Duhet të luftoni. Luftoni për familjet tuaja. Luftoni për të ardhmen tuaj. Luftoni për lirinë tuaj.”
Fjalimi u mbyll me një mesazh simbolik: “Zoti ju bekoftë dhe Zoti e bekoftë Shqipërinë. Fitore, fitore, fitore!” /noa.al
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






