Transmetuar më 08-05-2025, 15:12

TIRANË- Partia Demokratike ka dalë me një deklaratë zyrtare, lidhur me raportimet se kryedemokrati Sali Berisha mund të udhëtojë për në SHBA.

PD vlerëson dhe përshëndet qëndrimin e Departamentit të Shtetit, të bërë publik nga gazetari amerikan, Marc Caputo, ndërsa thuhet se e drejta është vënë në vend, falë administratës së presidentit Donald Trump.

Në reagim thuhet gjithashtu se këto vite nuk ishte liria e Berishës për të udhëtuar ajo që ishte penguar, por liria e popullit shqiptar për të zgjedhur udhëheqësit e vet, dhe për të pasur një opozitë që nuk e emëron qeveria.

DEKLARATA E PD:

Partia Demokratike vlerëson dhe përshëndet qëndrimin e Departamentit të Shtetit, të bërë publik nga media amerikane, si të drejtë dhe kthim të legalitetit, të marrë peng nga administrata Biden me lobimin e George Soros dhe Edi Ramës.

E drejta ka vonuar, por është vënë në vend, falë administratës së Presidentit Trump, fitorja e të cilit i ka shërbyer botës së lirë, me mesazhin e fortë dhe të drejtë, që u përsërit edhe në fjalën e zv. Presidentit Vance në Mynih.

Partia Demokratike, në emër të kryetarit të saj, Sali Berisha, të 26 partive të koalicionit, dhe të demokratëve, që mbajtën barrën e qëndresës, falenderon Deparatamentin e Shtetit për qëndrimin e drejte dhe parimor!

Nuk është liria për të udhëtuar e Sali Berishës, që është penguar këto vite, por është liria e popullit shqiptar për të zgjedhur udhëheqësit e vet, dhe për të pasur një opozitë që nuk e emëron pushteti.

Amerika nuk është e panjohur me këtë skenar, siç e ka dëshmuar katër vitet e fundit në gjuetinë e shtrigave kundër Presidentit Trump.

Sekretari i Shtetit, Republikani James Baker, e pat thënë, në Sheshin “Skënderbej”, 34 vite më pare: “liria funksionon”. Ajo funksionoi edhe sot.

Departamenti Amerikan i Shtetit ka deklaruar se kreu i Opozitës Sali Berisha mund të shkojë në SHBA. Gazetari amerikan Marc Caputo që punon për agjencinë e lajmeve “Axios”, i ka drejtuar një pyetje Departmentit të Shtetit në lidhje me non gratën e Berishës. Ndërkohë që përgjigja e DASH për këtë ështe se Berisha mund të shkojë në SHBA, pasi departmenti bën përjashtime në raste të tilla. Sipas përgjigjes së publikuar nga gazetari, DASH thekson se nuk do të lejojnë që marrëdheniet me Shqipërinë të mbahen peng nga vendime politike të kohës së Presidentit Joe Biden.

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit