Transmetuar më 08-05-2025, 13:32

Gjykata e Apelit ka vendosur këtë të enjte t’i japë pafajësinë këngëtarit të njohur, Luzi Ejlli.

Apeli i Juridiksionit të Përgjithshëm pranoi ankimin e bërë nga avokatët Arbër Hoxha e Dritan Metani, duke prishur vendimin e Gjykatës së Fierit për dënimin me 1 vit burg të këngëtarit për "falsifikim dokumentesh", duke e deklaruar atë të pafajshëm.

Pafajësinë e ka fituar edhe i bashkëpandehuri i tij, Fatmir Avdurramani.

“Trupi gjykues i kthyer nga dhoma e këshillimit, në mungesë të prokurorit në shpalljen e vendimit, shpall vendimin me dispozitivin e mëposhtëm: Ndryshimin e vendimit të Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Fier. Deklarimin e pafajshëm të të pandehurit Luiz Ejlli dhe Fatmir Avdurramani. Lënien në fuqi të vendimit për pjesën e materialeve të sekuestruara. U shpall sot në Tiranë, më 08.05.2025, ora 12:24:32”, thuhet në vendimin e Apelit.

Gjykata e Fierit e kishte dënuar me 1 vit burg Luiz Ejllin, pasi u gjet fajtor për akuzën e falsifikimit të dokumenteve të kryer në bashkëpunim.

Referuar dosjes hetimore, Luiz Ejlli, në vitin 2015 kur ende posedonte vulat e noterit edhe pse Ministria e Drejtësisë ja kishte hequr të drejtën e ushtrimit të profesionit, në bashkëpunim me një shtetas tjetër ka falsifikuar një deklaratë noteriale që është përdorur më pas në vitin 2022 në Prokurorinë e Lushnjës për te justifikuar pasuri të vëna në mënyrë të paligjshme.

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit