Transmetuar më 08-05-2025, 08:30

Operacioni “The Wanted”/ Kapen në Dubai tre të kërkuar të rrezikshëm shqiptarë, përkrahës të Tano Çelës

Policia e Shtetit njoftoi sot finalizimin e tri fazave të reja të operacionit ndërkombëtar “The Wanted”, që vijon intensivisht për kapjen e shtetasve shqiptarë të shpallur në kërkim ndërkombëtar.

Në bashkëpunim me agjencitë ligjzbatuese të Emirateve të Bashkuara Arabe dhe përmes koordinimit me Interpolin, janë lokalizuar dhe arrestuar në Dubai tre persona të përfshirë në ngjarje të rënda kriminale kundër jetës, të cilët konsiderohen bashkëpunëtorë të të shumëkërkuarit Tano Çela.

Të arrestuarit janë:

Ervis Daka, 38 vjeç – me masë sigurie “arrest në burg” nga GjKKO për disa vepra penale të rënda, përfshirë “vrasje me paramendim” (mbetur në tentativë), sigurim kushtesh për vrasje, armëmbajtje pa leje dhe përkrahje të autorit të krimit. Ai dyshohet se ka ndihmuar në përgatitjen e atentateve ndaj shtetasve K. P. dhe A. S., si dhe ka strehuar për një kohë të gjatë të shumëkërkuarin Tano Çela.

Maksim Koçi, 39 vjeç – i akuzuar për pjesëmarrje në vrasje me paramendim për motive hakmarrjeje dhe interes personal. Prokuroria e ngarkon me sigurimin e kushteve për atentate të tjera dhe ndihmesë të drejtpërdrejtë në fshehjen e Tano Çelës duke qenë pjesë e një grupi të strukturuar kriminal.

Ado Xhika, 40 vjeç – akuzohet për përkrahje të autorit të krimit, pasi për rreth dy vjet ka ndihmuar Tano Çela të strehohet dhe të jetojë në fshehtësi. Dyshohet gjithashtu se ka organizuar dhe shoqëruar një gazetar për intervistimin e të shumëkërkuarit.

Interpol Tirana është në ndjekje të procedurave për ekstradimin e tyre në Shqipëri, ndërsa operacioni “The Wanted” vijon. /noa.al

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit