

Tetovë- Shkëndija e Tetovës është kampionia e re e Maqedonisë së Veriut. Skuadra kuqezi siguroi matematikisht titullin e pestë në historinë e klubit vetëm dy javë para fundit të kampionatit, pas një fitoreje të merituar ndaj Rabotniçkit me rezultatin 2-1.
Me këtë sukses, tetovarët ia morën kurorën e kampionit ekipit të Strugës, i cili e mbante titullin që nga sezoni i kaluar. Ndeshja nisi në mënyrë të furishme nga ana e Shkëndijës, që tregoi qartë ambiciet për të mbyllur kampionatin sa më shpejt. Në minutën e 5-të, Liridon Latifi zhbllokoi rezultatin pas një aksioni të shpejtë.
Epërsia u dyfishua në pjesën e parë me një gol spektakolar nga Fabricio Tamba, pas një asisti të shkëlqyer nga Adamu Alhassan. Pavarësisht një penalltie të kontestuar që i dhuroi Rabotniçkit një gol përmes Cristojaye Daley, Shkëndija ruajti epërsinë deri në fund, duke festuar titullin me tifozët e saj.
Skuadra shqiptare, me një sezon të dominuar nga cilësia, stabiliteti dhe përkrahja e tifozëve, rikthehet në fronin e futbollit të Maqedonisë. Me titullin e pestë të kampionit, kuqezinjtë konfirmojnë se janë një fuqi e pandalshme në skenën vendore dhe një pretendent serioz për suksese edhe në garat ndërkombëtare.
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






