Transmetuar më 07-05-2025, 23:25

Operacioni “Deportimi” – Kreshnik Haxhiaj deportohet nga Spanja në Shqipëri, i dënuar për propagandë terroriste

TIRANË – Policia e Shtetit ka finalizuar me sukses operacionin policor të koduar “Deportimi”, në kuadër të bashkëpunimit ndërkombëtar për kapjen dhe kthimin në vend të shtetasve shqiptarë të shpallur në kërkim për çështje penale.

Operacioni u zhvillua nga Drejtoria e Antiterrorit, në bashkëpunim me Departamentin e Marrëdhënieve Ndërkombëtare të Policisë së Shtetit dhe me autoritetet spanjolle të rendit.

Në kuadër të këtij operacioni u bë i mundur deportimi nga Spanja drejt Shqipërisë i shtetasit Kreshnik Haxhiaj, 39 vjeç, i cili ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar. Ai ishte kapur më herët në Spanjë dhe ishte nën hetim nga autoritetet lokale në zbatim të një urdhër-arresti ndërkombëtar.

Sipas njoftimit zyrtar, Haxhiaj ishte dënuar në vitin 2024 nga Gjykata e Posaçme për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar me 4 vjet e 6 muaj burgim, për kryerjen e veprës penale “Nxitja, thirrja publike dhe propaganda për kryerjen e veprave me qëllime terroriste”, sipas nenit përkatës të Kodit Penal.

Pas mbërritjes së tij në Shqipëri, materialet procedurale i janë referuar SPAK-ut, për vijimin e veprimeve të mëtejshme ligjore.

Kreshnik Haxhiaj, 39 vjeç, është deportuar nga Spanja pasi vjet ishte dënuar nga Gjykata e Posaçme për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar (GJKKO) me 4 vjet e 6 muaj burgim për veprën penale “Nxitja, thirrja publike dhe propaganda për kryerjen e veprave me qëllime terroriste” .

Sipas raportimeve, në mars 2021, Haxhiaj kishte postuar në profilin e tij në Facebook një mesazh ku bënte thirrje për dhunë ndaj institucioneve shtetërore dhe zyrtarëve, duke përmendur emra konkretë si drejtori i Qendrës së Paraburgimit 313, shefi i policisë, avokati, punonjësja sociale, Avokati i Popullit, Ministri i Drejtësisë, agjentët e policisë gjyqësore, prokuroria, gjykatat, kryeministri dhe presidenti.

Në këtë postim, ai shprehej: “… kush mendoni se ka guxim të ndezë bombat!? Për të filluar një nga një…” Ai gjithashtu shprehte bindjen se vetëm Allahu mund ta mbrojë dhe se krijesat e tij nuk mund ta lëndojnë.

Më 2022, Prokuroria spanjolle e kundërshtoi ekstradimin e shqiptarit të kërkuar në vendin tonë për thirrje ekstremiste përmes postimeve në Facebook.

Kërkesa për ekstradim ishte bërë për veprën penale të nxitjes, apelit publik dhe propagandës për kryerjen e veprave për qëllime terroriste që përcaktohet në kodin penal shqiptar.

Megjithatë, sipas kallëzimit të prokurorit të Gjykatës Kombëtare spanjolle, këto thirrje nuk cilësohen si krime për glorifikimin e terrorizmit apo nxitjes së akteve terroriste, ndaj edhe nuk ka pranuar ekstradimin e shqiptarit.

Ndaj çështja i kaloi Seksionit të Dytë Penal të Gjykatës Kombëtare spanjolle që të vendoste nëse do të pranonte dorëzimin e Kreshnik Haxhiajt, drejt autoriteteve shqiptare. /noa.al

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit