Transmetuar më 07-05-2025, 23:16

Romë- Kryeministrja italiane Giorgia Meloni ka folur sot në parlamentin italian për çështjen e emigrantëve që dërgohen në Shqipëri. E pyetur nga deputetët e opozitës se çfarë po ndodh në qendrën e Gjadrit ajo tha se deri në fund të kësaj jave, mbi 25% e emigrantëve që mbahen në Shqipëri do të jenë të riatdhesuar.

"Siç mund ta shihni, riatdhesimet janë shumë të shpejta, duke demonstruar se si po funksionojnë procedurat dhe strategjia që kemi zbatuar, pavarësisht përpjekjeve për t’i bllokuar ato për arsye qartësisht ideologjike”, tha Meloni.

Duke iu përgjigjur një pyetjeje nga kreu i grupit “Fratelli d’Italia”, Lucio Malan, mbi luftën kundër imigracionit të parregullt, Meloni u shpreh se ata duan një Itali që më në fund është e aftë të zbatojë rregullat, të jetë e pakompromis me ata që kryejnë krime dhe të mbrojë sigurinë e qytetarëve të ndershëm.

“Ne kemi vendosur t’i përdorim qendrat e ndërtuara në Shqipëri si CPR të zakonshme, kështu që kemi filluar të transferojmë aty emigrantët e parregullt që presin riatdhesimin. Pas kësaj dispozite të re, disa gjykata duket se po urdhërojnë ritransferimin në Itali, ku emigranti bën një kërkesë për mbrojtje ndërkombëtare edhe kur kjo është qartësisht e pabazuar.

Nuk dua të hap një polemikë, por ndihem e detyruar të ndaj me ju kurrikulën e këtyre personave për të cilët duhet të shqyrtojmë dhënien e mbrojtjes ndërkombëtare. Pothuajse të gjithë emigrantët e transferuar në Shqipëri kanë kryer krime shumë të rënda, duke përfshirë vjedhje, grabitje, posedim të paligjshëm të armëve, tentativë vrasjeje, dhunë seksuale, pornografi me fëmijë, nxitje të të miturve, akte të turpshme në afërsi të një të mituri. Disa duan t’i mbajnë këta njerëz në Itali me çdo kusht, por ne duam t’i riatdhesojmë ata”, tha Meloni.

Ai theksoi se lista e “vendeve të sigurta” të BE-së konfirmon se Italia “nuk kishte gabuar”.

“Propozimi i Komisionit Evropian për të përshpejtuar hyrjen në fuqi të disa komponentëve të Paktit të ri për Migracionin dhe Azilin është shumë domethënës. Në veçanti, mundësia e përcaktimit “të vendeve të sigurta” të origjinës, me përjashtime territoriale për disa kategori, dhe e zbatimit të kriterit 20%", shtoi ajo.

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit