Transmetuar më 07-05-2025, 18:10

Berisha nga Korça: Në rrugën tonë të lirisë, patëm një aksident si asnjë komb tjetër. Përjetuam 12 vite narkodiktaturë

Korçë, 7 maj 2025 – Në vijim të turit elektoral për zgjedhjet e 11 majit, kryetari i Partisë Demokratike të Rithemeluar, Sali Berisha, mbajti një fjalim të zjarrtë në qytetin e Korçës, ku e cilësoi periudhën e qeverisjes socialiste si "një aksident historik" dhe "12 vite narkodiktaturë", që sipas tij kanë lënë pas një vend të varfëruar, të boshatisur dhe të dëshpëruar.

Në një tubim me qytetarë nga Korça, Devolli, Pogradeci dhe Erseka, Berisha tha se 11 maji është një ditë vendimtare që ndan dy epoka për Shqipërinë.

“Në rrugën tonë të lirisë, patëm një aksident si asnjë komb tjetër – përjetuam 12 vite narkodiktaturë,” u shpreh Berisha, duke e akuzuar qeverinë Rama se ka shtypur pluralizmin dhe opozitën, ka përzënë qytetarët nga vendi i tyre, dhe ka rrënuar ekonominë lokale.

Duke iu referuar situatës në qarkun e Korçës, ai përmendi rrugë të papërfunduara si aksi Korçë-Ersekë dhe Qafë Plloç–Qukës, si dhe mbylljen e shkollave, rënien e numrit të studentëve, falimentimin e fermave dhe përkeqësimin e sistemit shëndetësor.

“Korça, një qytet i lavdishëm për kulturën dhe shpirtin krijues, është braktisur nga të rinjtë dhe familjet e saj për shkak të mjerimit dhe çmendurisë ekonomike që ka prodhuar kjo qeveri,” tha Berisha.

Ai vlerësoi lart cilësitë dhe kontributin historik të qytetarëve të Korçës dhe rretheve përreth, duke i cilësuar si ndër më punëtorët dhe më të zotët në Shqipëri, dhe tha se ndryshimi është urgjencë kombëtare.

Në vijim, Berisha bëri thirrje për një votë të fortë për opozitën më 11 maj, duke e cilësuar atë si një “ditë çlirimi” nga një regjim që, sipas tij, ka kthyer Shqipërinë në një vend pa shpresë.

100 ditët e rikthimit në pushtet

"Ju garantoj se në 100 ditët e para do ketë ndryshime shumë të fuqishme. Ne e ndryshojmë Shqipërinë në 100 ditë", kështu angazhohet kryetari demokrat Sali Berisha ndërsa sot po mbyll fushatën në Korçë.

Berisha premtoi një transformim të shpejtë të vendit, duke filluar nga 100 ditët e para të qeverisjes, ku do të përpiqet të ulë varfërinë dhe mjerimin përmes masa konkrete.

Disa prej premtimeve kryesore përfshijnë: sigurimin e një minimumi jetik prej 200 eurosh për çdo qytetar, pensione dhe paga më të larta, uljen e çmimit të energjisë dhe naftës, si dhe uljen e taksave për bizneset.

Po ashtu, Kryetari i PD premtoi grante për çiftet e reja dhe fermerët, si dhe mbështetje për rinovimin e sektorëve të ndryshëm.

Disa nga angazhimet që shpalli Berisha:

Për çdo pensionist nuk do ketë në Shqipëri pension nën 200 euro.

Nuk do ketë në Shqipëri qytetar me ndihmë ekonomike nën 200 euro.

Nuk do të ketë në Shqipëri njeri të papunë nën 200 euro. Nuk do ketë në Shqipëri rrogë minimale nën 500 euro.

Mësuesit, në krye të mandatit do marrin 1500 euro rrogën. Rroga mesatare do të jetë 1250 euro.

Hiqet mesatarja për universitetet.

Çdo i ri dhe e re që diplomohet, në kuadrin e paktit kombëtar për rininë, do ketë një vend pune të garantuar në sektor publik ose privat.

Në 100 ditët e para, krijohet fondi i rinisë, me të cilin ne do mbështesim me grante çdo të ri 5 mijë euro grant për çdo të ri që nis biznes apo startup.

Startup Albania do ketë fondin e veçantë.

Çdo sipërmarrës që punëson të rinjtë do ketë 70 përqind zbritje në taksa.

Për talentin e të rinjve, në sport, kulturë, teknologji, një fond i veçantë për të mbështetur ata, fillimisht 5 milionë euro.

Dhe kjo do të lehtësojë garën evropiane dhe botërore të të rinjve tanë.

Qeveria e ardhshme ne epiqendër të programit të saj do ketë fëmijët dhe të rinjtë e Shqipërisë.

Duhet që ata të ndërtojnë ëndrrën në këtë vend.

Vetëm ëndrra e tyre e bën Shqipërinë me të ardhme.

Çdo qytetar shqiptar do ketë të rimbursuara 100 përqind nga shteti atë listë ilaçesh që kanë qytetarët e vendit mik, Italisë.

Energjia do zbresë në 7 lekë për qytetarët.

Nafta nuk do shitet kurrë më më shtrenjtë se në Maqedoni dhe Kosovë, ku është të paktën 40 përqind më lirë se në Shqipëri.

Ndaj dhe jam këtu për të kërkuar 100 ditë në mënyrë që çdo biznesi t’ia ulim energjinë nga 18 në 6 lekë.

Në mënyrë që çdo biznesi t’i ulim tatim fitimin nga 23 në 10 përqind.

Të ulim TVSH-në në 15 përqind.

Jam këtu për të kërkuar 100 ditë që të gjitha taksat e ndërtimit të pjesëtohen me 10 herë. Nuk do ketë më kurrë taksë për çmimin e shitjes, por do jetë 1 e 10 vetëm për preventivin.

Nuk do ketë taksë sociale.

Kjo do i bëjë çmimet të përballueshme.

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit