

Fushë-Krujë, 7 maj 2025 – Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, vijoi sot ciklin e takimeve elektorale me një ndalesë në Fushë-Krujë, ku para qytetarëve dhe mbështetësve të PS-së bëri një bilanc të zgjeruar të arritjeve të qeverisjes dhe investimeve në qarkun e Durrësit, duke theksuar ambicien për një mandat të ri me objektiva edhe më të mëdha.
Në fjalën e tij, Rama tha se Partia Socialiste ka bërë gjithçka të mundur për të ngritur Shqipërinë në një nivel tjetër, dhe se ky transformim është i dukshëm në të gjitha fushat – nga rindërtimi pas tërmetit, tek arsimi, infrastruktura, ekonomia dhe politikat sociale.
“Kemi bërë gjithçka kemi mundur dhe nuk kemi lënë pa bërë asgjë të mundur për ta ngritur në një nivel tjetër Shqipërinë. Nëse më 11 maj na jepni një mbështetje më të fortë, një besim të palëkundur dhe një fuqi edhe më të madhe, do të bëjmë më shumë se sa kemi bërë në të gjitha vitet e tjera së bashku”, deklaroi Rama.
Ai përmendi rindërtimin në Krujë si një ndër pikat më të vështira për shkak të terrenit dhe çështjeve të pronësisë, por theksoi se janë ndërtuar mbi 1100 banesa të reja falas për familjet e goditura nga tërmeti, ndërsa janë rikonstruktuar edhe 17 shkolla me standarde europiane.
Në qendër të fjalës së tij, Rama solli edhe një panoramë të gjerë të ecurisë ekonomike të vendit, duke theksuar se Prodhimi i Brendshëm Bruto është rritur nga 10 miliardë euro në mbi 25 miliardë euro, me objektiv që deri në vitin 2030 të arrijë në 35 miliardë euro.
Ndër treguesit që ai veçoi ishin:
Ulja e borxhit publik në 54% (nga mbi 70%)
Papunësia në nivelin më të ulët historik – 8.8%
Rritja e pagës mesatare në sektorin shtetëror në 1000 euro (me objektiv 1200 euro në 2030)
Paga minimale nga 150 euro në 400 euro aktualisht, me objektiv 650 euro
Pensioni minimal do të shkojë në 200 euro brenda mandatit të katërt
Bonus i bebes që do kthehet në mbështetje mujore për çdo fëmijë
Investime rekord për arsimin, shëndetësinë, infrastrukturën, bujqësinë dhe kulturën
Në një analizë të hollësishme për qarkun e Durrësit, Rama tha se janë realizuar:
596 projekte rrugësh të brendshme me 362 km dhe rreth 250 milionë euro investime
99 projekte të transformimit urban me 81 milionë euro
116 projekte ujësjellësash dhe kanalizimesh me 200 milionë euro
121 projekte për rrjetin elektrik me 177 milionë euro
191 projekte arsimore me standarde europiane
130 projekte për bujqësinë me 50 milionë euro
Investime në stadiumin e ri të Durrësit dhe në kulturë me 17.6 milionë euro
“Vetëm për qarkun e Durrësit janë investuar 1.1 miliardë euro në 3 mandatet tona. Tani është koha të bëjmë edhe më shumë. Shqipëria 2030 do të jetë shumë më e zhvilluar, më e barabartë dhe më e fortë,” u shpreh kreu i qeverisë.
Në fund, Rama kërkoi mbështetje të plotë për Partinë Socialiste më 11 maj, duke e cilësuar këtë votë si një vendim që ndikon drejtëpërdrejt të ardhmen e familjeve shqiptare, të fëmijëve dhe të vendit.
“Nëse në 11 maj do të na jepni një besim edhe më të madh, do ta çojmë përpara vendin, duke realizuar edhe profecinë e Gjergj Kastriotit, që fati i stërnipërve të tij është Europa,” përfundoi ai. /noa.al

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






