Transmetuar më 07-05-2025, 14:37

Policia e Shtetit shton masat për zgjedhjet e 11 majit dhe aktivitetet ndërkombëtare

Tiranë – Policia e Shtetit ka kaluar në gatishmëri të shtuar për të garantuar rendin dhe sigurinë gjatë fazës përmbyllëse të fushatës elektorale, ditës së votimit dhe në vijim, deri në përfundim të plotë të procesit zgjedhor, raporton noa.al.

Në një takim të zhvilluar paraditen e sotme me drejtuesit vendorë të Policisë, të kufirit dhe të departamenteve qendrore, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Drejtues Madhor Ilir Proda, dha një sërë porosish të drejtpërdrejta për përforcimin e kontrolleve dhe përmbushjen profesionale të detyrave.

Fokus te zgjedhjet, aktivitetet ndërkombëtare dhe siguria publike

Proda bëri të ditur se Policia do të angazhohet në shërbime të shtuara jo vetëm për zgjedhjet e 11 majit, por edhe për dy ngjarje të rëndësishme që priten në vend – etapën e “Giro d’Italia” dhe Samitin e Komunitetit Politik Europian që do të zhvillohet më 16 maj në Tiranë. “Jemi përpara disa sfidave shumë të rëndësishme për imazhin e vendit”, theksoi ai, duke kërkuar përkushtim dhe profesionalizëm nga të gjitha strukturat.

Paanshmëri dhe zbatim i ligjit në procesin zgjedhor

Duke iu referuar rolit të Policisë gjatë zgjedhjeve, Proda evidentoi domosdoshmërinë e zbatimit të ligjit dhe të Kodit Zgjedhor në mënyrë të paanshme: “Qëndroni të baraslarguar nga subjektet politike. Reagoni me profesionalizëm ndaj çdo konflikti dhe mos neglizhoni as shqetësimet më të vogla të qytetarëve apo përfaqësuesve politikë”, porositi ai, duke vënë theksin edhe te bashkëpunimi i ngushtë me prokuroritë përkatëse.

Masa për parandalimin e krimeve elektorale dhe monitorimi online

Proda kërkoi angazhim të veçantë në parandalimin dhe goditjen e krimeve elektorale përmes inteligjencës policore. Ai urdhëroi strukturat që të vijojnë monitorimin e rrjeteve sociale për të identifikuar shkelje që cenojnë integritetin e procesit zgjedhor dhe të veprojnë ndaj çdo shtetasi përgjegjës.

Policia të votojë, qytetarët të lëvizin lirshëm

Një ndër direktivat e dhëna nga drejtori i Policisë ishte edhe sigurimi që të gjithë punonjësit e Policisë të kenë mundësinë të votojnë, pavarësisht planifikimit në shërbim. Ndërkohë, në pikat kufitare do të merren masa për të lehtësuar fluksin e automjeteve dhe qytetarëve, si dhe për të përforcuar kontrollet në kufirin jeshil, me synim parandalimin e krimeve kufitare.

Koordinim në qarqet kryesore për “Giro d’Italia” dhe Samitin

Qytetet e Tiranës, Durrësit, Elbasanit dhe Vlorës do të kenë një angazhim të shtuar në kuadër të “Giro d’Italia” dhe Samitit të 16 majit. Proda kërkoi koordinim të plotë me Departamentin e Rendit dhe Sigurisë, Policinë Rrugore, Akademinë e Sigurisë dhe Policitë Bashkiake, për të garantuar që aktivitetet ndërkombëtare të zhvillohen në kushte optimale sigurie.

Policia e Shtetit, sipas tij, do të vijojë të veprojë në përputhje të plotë me ligjin, me gjakftohtësi dhe pa paragjykim, si një institucion në shërbim të qytetarëve dhe të stabilitetit të vendit. /noa.al

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit