

Luciano Spalletti, trajneri i kombëtares italiane, rrëfen për herë të parë historinë e jetës së tij në një autobiografi të titulluar “Parajsa ekziston… Por sa shumë mundim”. E përditshmja “La Repubblica” ka publikuar një pjesë nga libri, që flet për marrëdhënien shumë të diskutuar me Francesco Tottin:
“Francesco Totti është, në të mirë e në të keq, shembulli më ekstrem i mënyrës sime të të sjellurit me një futbollist. Shumë njerëz kanë thënë se isha unë, ai që e detyroi Tottin të tërhiqej nag futbolli. Kjo është e pavërtetë. Miti i Tottit, të qenurit flamuri i klubit, ishin çështje që duheshin menaxhuar nga Roma, jo nga unë.
Këtë e kisha kërkuar qartësisht kur u ktheva. Nuk duhej të më çonin në ‘therje’, të më bënin viktimë të llojit ‘një kundër të gjithëve’. Unë gjithmonë kam hedhur në fushë formacionin me të cilin mendoja se mund të fitonim, as më shumë e as më pak. Në një moment, ‘Curva Sud’ (tifozët e zjarrtë të Romës) u kthyen kundër meje.
Megjithatë, skuadra ishte me mua. Nëse do t’i kisha bërë padrejtësi kapitenit të tyre, duke pasur parasysh se në dhomën e zhveshjes kishte figura me personalitet si De Rossi, Strootman, Nainggolan, Seydou Keita, Maicon, ata me siguri do të ishin ngritur në mbrojtje të Francescos. Kjo nuk ndodhi.
Nuk shërbeu as fakti që përsërita në muajt në vijim se nuk isha unë, personi që e largoi Tottin nga Roma. Unë isha i gatshëm të pranoja çdo vendim të tij. Për ta forcuar këtë qëndrim dhe ‘çliruar’ Tottin nga ‘armiku’ Spalletti, e thashë publikisht se nuk do ta rinovoja kontratën me Romën.
U largova edhe për këtë arsye, për ta shmangur përgjegjësinë që nuk e kisha dhe që nuk ishte e drejtë të më ngarkohej mua. E vërteta është se, qoftë e drejtë apo e gabuar, fati i numrit 10 në ‘Trigoria’ ishte i shkruar. Por e vërteta, siç dihet, është vetëm për ata që duan ta shohin. Gabimet ishin të të gjithëve në atë situatë.
Sigurisht, Francesco Totti ka qenë kapiteni ndaj të cilit jam dhënë më shumë. Më pëlqente të mendoja se fati im si trajner qëndronte në këmbët e këtij gjigandi të futbollit tonë. Ndihesha i mbrojtur nga talenti i tij i jashtëzakonshëm. Kam bërë për të gjëra që nuk i kam bërë për askënd tjetër.
Francesco nuk e imagjinon dot sa shumë i kam kuptuar arsyet e tij, hezitimet, dramën e tij për ta lënë futbollin. Ai ishte mish e shpirt i Romës, edhe ndryshku i tij i jepte shkëlqim metalit. Por unë, si përgjegjës i thirrur për të rigjallëruar një grup në vështirësi, duhej të mendoja dhe të veproja ndryshe.
Unë duhej të mendoja për të mirën e skuadrës. Totti, si shumë kampionë para dhe pas tij, nuk arrinte të pranonte që historia e tij madhështore po shkonte drejt fundit. Pikërisht këtu lind incidenti. Dhe keqkuptimi. Personalisht mendoja se Totti, një totem gati 40-vjeçar, me virtyte teknike të paprekura, por me lëvizshmëri të kufizuar, duhej përdorur me kujdes.
Doja që të hynte në fushë me gjithë forcën e tij karizmatike dhe përvojën, të aktivizohej në momente të vështira për ta ndezur stadiumin dhe ndihmuar skuadrën. Në mendjen time, kjo ishte mënyra më dinjitoze për t’u larguar nga skena, për dikë me një histori si e tij.
Totti u adhurua në Romë dhe kjo ndoshta e ka ‘prishur’ pak, e ka penguar ta perceptojë veten ndryshe. Francesco për mua do të jetë gjithmonë si një bir, por ish-bashkëshortja e tij nuk do të jetë kurrë si një nuse për mua.
Kur ajo më fyeu në mënyrë të pamerituar, u bëra edhe më i vetëdijshëm se isha një njeri me fat që kisha pranë një partnere shumë inteligjente, që kurrë nuk më ka vënë në siklet, duke u futur me arrogancë dhe pa edukatë në punën time. Gjatë jetës ndodh që të jesh një burrë i vogël ose një grua e vogël. Ajo sigurisht që ka qenë një grua e vogël, kur guxoi të më drejtohej në atë mënyrë.
Ka një gjë që nuk ia kam thënë kurrë Francescos, as ditën kur u përqafuam te ‘Bambin Gesù’, dhe po e them tani. Një natë, kur në qytet nuk flitej për asgjë tjetër veç nesh dhe historisë sonë, të ëndërrova duke më thënë këto fjalë: Mister, kam kuptuar që kam gabuar me ty. Kam kuptuar që, në të vërtetë, ti nuk po më penalizoje siç mendoja, por, përkundrazi, po bëje gjithçka për të më zgjatur karrierën. Pastaj u zgjova…”
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






