

TIRANË- Një tragjedi është parandaluar në orët e vona të mbrëmjes në fshatin Kus në Tiranë. 45-vjeçari Luan Alla ka dhunuar fizikisht bashkëshorten e tij dhe fëmijët e mitur. Mësohet se policia ishte njoftuar për një konflikt në familje dhe sapo efektivët i janë afruar banesës, 45-vjeçari Luan Alla ka qëlluar në ajër me kallashnikov. Pas ngjarjes së rëndë Alla u arrestua nga policia, e cila sekuestroi edhe armën e zjarrit
Njoftimi i Policisë:
DVP Tiranë/Finalizohet operacioni policor i koduar “Forest”. Ndërhyrja e Policisë parandalon ngjarje të rënda kriminale në një familje, në fshatin Kus. Dhunoi bashkëshorten dhe fëmijët e tyre të mitur dhe rrezikoi jetën e punonjëve të Policisë pasi qëlloi me armë zjarri kallashnikov në drejtim të tyre, gjatë ndërhyrjes në banesën e tij, vihet në pranga 45-vjeçari. Sekuestrohen arma e zjarrit kallashnikov me fishek në fole dhe 1 mjet prerës (thikë).
Shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 1 në bashkëpunim me Forcën e Posaçme “Shqiponja”, pas marrjes së njoftimit se në fshatin Kus, një shtetas po dhunonte bashkëshorten dhe fëmijët e tyre dhe posedonte armë zjarri, kanë organizuar menjëherë punën për kapjen e këtij shtetasi, me qëllim parandalimin e përshkallëzimit të situatës.
Mbrëmë, rreth orës 23:00, në kuadër të operacionit “Forest”, shërbimet e Policisë kanë ndëhyrë në banesën e shtetasit L. A., i cili në momentin që ka parë punonjësit e Policisë, ka qëlluar me armë zjarri në drejtim të tyre dhe më pas, duke përfituar nga errësira dhe nga terreni, është larguar në drejtim të një zone të pyllëzuar. Shërbimet e Policisë janë vënë në ndjekje të tij dhe pas gati 2 orë kërkimesh në pyll, kanë bërë të mundur neutralizimin, kapjen dhe vënien në pranga të shtetasit L. A., 45 vjeç. Gjitashtu, shërbimet e Policisë kanë sekuestruar në cilësinë e provës materiale armën e zjarrit kallashnikov, me fishek në fole, që ky shtetas e kishte me vete, si dhe një mjet prerës (thikë), të cilat i posedonte pa leje. Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Tiranës, për veprime të mëtejshme.
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






