

Raphael Dias Belloli, i njohur si Raphinha, po përjeton sezonin më të mirë të karrierës së tij. Braziliani ka realizuar 32 gola dhe ka dhënë 25 asiste në 52 ndeshje, këtë sezon. Një rritje e papritur ajo e ish-lojtarit të Leeds, që ka ardhur falë ardhjes në pankinë të Hansi Flick. Gjermani, ndryshe nga Xavi, ka treguar besim në cilësitë e 28-vjeçarit nga Porto Alegre.
"Kisha përshtypjen se Xavi dhe stafi i tij nuk kishin mjaftueshëm besim tek unë. Ndonjëherë luaja shumë mirë për 60 minuta, por ai më zëvendësonte. U përpoqa ta rregulloja situatën, fola shumë me të, por asgjë nuk ndryshoi.
Ai kishte mënyrën e tij të të menduarit. Kur nuk kishte askënd tjetër për të futur, luaja 90 minuta. Jepja maksimumin, zgjidhja ndeshjet. Por kur kishte dikë tjetër që mund të zinte vendin tim, e fuste pa hezitim", – tha ai në një intervistë me gazetaren Isabela Pagliari.
Episodi më domethënës: "Besoj se ishte ndeshja kundër Manchester United, ku luajta shumë mirë, shënova një gol dhe dhashë një asist…, por ai më zëvendësoi. Shpërtheva në pankinë dhe godita karrigen. Kisha luajtur shumë mirë, nuk mund ta besoja kur e kuptova që duhej të dilja nga loja".
Raphinha sqaroi se tani ndihet me më shumë besim: "Flick kujdeset më shumë për lojtarët, i jep hakun secilit, pavarësisht emrit dhe moshës që ka".
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






