

Pas ndeshjes dramatike mes Interit dhe Barcelonës në gjysmëfinalen e Ligës së Kampionëve, e cila përfundoi me fitoren 4-3 të zikaltërve në kohën shtesë, polemikat për vendimet e arbitrit Szymon Marciniak kanë dominuar diskutimet në mediat ndërkombëtare.
Trajneri i Barcelonës, Hansi Flick, shprehu pakënaqësinë e tij për vendimet e arbitrit, duke deklaruar: “Çdo vendim i diskutueshëm shkoi në favor të Interit”. Mesfushori Pedri, gjithashtu kërkoi hetim nga UEFA për arbitrin, duke thënë: “Nuk është hera e parë që ndodh me këtë arbitër. UEFA duhet të hetojë për këtë çështje”.
Mbrojtësi Eric García shtoi se vendimet e arbitrit ndikuan në rezultatin e ndeshjes, duke theksuar se ekipi i tij është ndjerë i dëmtuar nga gjykimi. Mediat ndërkombëtare kanë analizuar disa nga episodet më të diskutueshme të ndeshjes.
Penalltia për Interin: Një ndërhyrje e Cubarsí ndaj Lautaro Martínez u konsiderua si penallti nga arbitri pas rishikimit me VAR. Arsène Wenger komentoi: "Jam plotësisht kundër kësaj lloj penalltie. Dhe jam po ashtu plotësisht kundër përdorimit të VAR-it. Në shpejtësi normale, është një ndërhyrje e shkëlqyer dhe Cubarsí arrin i pari te topi.
Lautaro Martínez? Shikoni çfarë bën, ai anohet drejt tij (Cubarsít). Po e kërkon penalltinë. E di që nuk do të shënojë, sepse e ndien që ai është aty. Për mua, arbitri në këtë situatë tregon se nuk ka marrë vendimin e duhur".
Barcelona kërkoi disa herë penallti për faulle ndaj Lamine Yamal, por asnjëra nuk u akordua. Goli i barazimit të Interit nga Francesco Acerbi në minutën e 93-të u shoqërua me protesta nga Barcelona për një faull të mundshëm në ndërtimin e aksionit, por arbitri e “validoi” atë.
Konkluzioni? Një ndeshje e paharrueshme, por me mjaft polemika arbitrimi. Pavarësisht polemikave, ndeshja mes Interit dhe Barcelonës u konsiderua nga shumë si një nga më emocionueset në historinë e Ligës së Kampionëve, me 13 gola të shënuar në dy ndeshje dhe kthesa dramatike.
Interi tani përgatitet për finalen e madhe të Mynihut më 31 maj, ndërsa Barcelona do të fokusohet në kampionatin vendas, ku e pret “El Clasico” me Real Madridin.
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






