

Prishtinë- Kuvendi i Kosovës do të mblidhet sërish sot në tentativën e 12-të për konstituimin e legjislaturës së nëntë. Seanca është caktuar të fillojë në orën 10:00. Konstitutimi i Kuvendit ka hasur në vështirësi të shumta që nga seanca e parë që ishte mbajtur më 15 prill.
Kryetari i LVV-së, Albin Kurti i ka dërguar një letër kryetarit të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku përmes së cilës i ka ftuar në koalicion qeverisës. Pas kësaj letre, të martën është mbledhur kryesia e LDK-së ku Abdixhiku propozoi një qeveri tranzicionale, duke refuzuar kështu koalicion qeverisës vetëm me LVV.
Lëvizja Vetëvendosje, e cila ka fituar shumicën në Kuvend, ka propozuar deputeten Albulena Haxhiu për postin e kryetares së Kuvendit. Megjithatë, ajo nuk ka marrë votat e mjaftueshme për t’u zgjedhur në gjashtë prej dhjetë seancave që janë mbajtur deri tani.
PDK, LDK dhe AAK, kundërshtojnë fuqishëm këtë kandidaturë, duke e cilësuar si të papranueshme. Në vazhdimin e 11 të seancës konstituive, Partia Demokratike e Kosovës, Lidhja Demokratike e Kosovës, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe Lista Serbe kanë refuzuar sërish që të propozojnë një përfaqësues që do të siguronte mbarëvajtjen e votimit të fshehtë. Ky veprim bllokoi procesin e konstituimit të Kuvendit, duke çuar në ndërprerjen e seancës.
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd