

Nga “SportMediaset” vijnë deklarata të reja të presidentit të UEFA-s, Aleksander Ceferin. Në një intervistë të zgjeruar, slloveni, numri një i futbollit europian, kritikoi hapur infrastrukturën sportive italiane, edhe pse Italia do të jetë bashkëpritëse me Turqinë e “Euro 2032”.
A është e kënaqur UEFA me formatin e ri të Champions-it?
Po, jemi më shumë se të kënaqur. Ky format i ri ka pasur sukses të madh. Kushdo që e do futbollin dhe e kupton, e di që ky ka qenë një sezon fantastik. Kemi parë ndeshje të jashtëzakonshme. Dita e fundit e fazës së grupeve ishte spektakolare. Disa skuadra të mëdha rrezikuan seriozisht eliminimin, si PSG që tani është në gjysmëfinale. Pra, një sezon i shkëlqyer. Besoj se ata që e kritikuan, tani e kanë kuptuar gabimin. Pastaj, nëse duan ta pranojnë ose jo, është tjetër gjë…
Si shihet Interi nga UEFA?
Interi ka bërë një sezon të madh dhe vazhdon në këtë rrugë. Është një skuadër me eksperiencë, me një trajner të madh, luan mirë taktikisht. Kam një provë që tregon se unë e kisha parashikuar se Interi do të arrinte kaq larg.
“San Siro” nuk u përzgjodh për finalen e Champions-it 2027?
Infrastruktura e futbollit në Itali është për turp. Italia është një nga vendet më të mëdhenj futbollistikë, me tituj Botërori, Europiani dhe Champions-i. Sidoqoftë, krahasuar me vendet e tjera të mëdha, infrastruktura sportive në Itali është shumë më e dobët. Të jem i sinqertë, jam lodhur nga këto diskutime pa fund për stadiumet në Itali. Shpresoj që të bëhet diçka. Klubet kanë nevojë për ndihmë nga qeveria dhe institucionet. Duhet të investojnë edhe privatët. Është koha të veprohet, sepse stadiumet janë në gjendje të mjerueshme.
A jeni i shqetësuar për “Euro 2032” dhe vonesat në infrastrukturë?
Ende nuk jam i shqetësuar. Mendoj se edhe qeveria italiane tashmë e ka kuptuar që duhet të bëjë diçka. Kam shumë besim te Gabriele Gravina, që është zëvendëspresidenti im i parë. Ai do të bëjë gjithçka për ta zvogëluar hendekun. Jam i sigurt që Italia do të jetë gati për Europianin e vitit 2032.
Një mendim për Botërorin e ri të Klubeve?
Është vështirë të thuash diçka konkrete, sepse turneu nuk ka nisur ende. Nga njëra anë, lojtarët ankohen për lodhje të tepruar. Nga ana tjetër, klubet duan të luajnë më shumë. Nuk e di nëse një turne që përfundon 5 javë pas sezonit do të ndikojë në shëndetin e lojtarëve apo jo. Do ta shohim.
Lojtarët dhe trajnerët ankohen për kalendarin e ngjeshur…
Kalendarët e futbollit janë të tejmbushur. Nuk mund të shtojmë më shumë ndeshje, jam dakord me ta. Sidoqoftë është një situatë paradoksale: klubet duan të jenë të qëndrueshme financiarisht dhe kanë nevojë për më shumë ndeshje për të rritur të ardhurat. Nga ana tjetër, lojtarët lëndohen sepse luajnë shumë. Nëse klubet do të ishin më të forta financiarisht, nuk do të kishin nevojë për kaq shumë ndeshje. Është një rreth vicioz.
Përse nuk ka më shumë transparencë me VAR-in?
Edhe unë ankohem shpesh për vendimet e VAR-it. E kam thënë disa herë, VAR-i është i dobishëm. Sa iu përket penalltive për prekje të topit me dorë, askush nuk e di realisht çfarë quhet faull dhe çfarë jo. Për pozicionin jashtë loje, rregullat janë të qarta. Edhe nëse bëhet fjalë për tre centimetra ‘offside’, siç i ndodhi Interit, duhet të akordohen. Rregullat janë këto dhe duhet t’i respektojmë. Mendoj se mund të punohet më shumë për ta përmirësuar VAR-in.
Çfarë mësoi UEFA nga protesta kundër Superligës Europiane?
E dinim që tifozët dhe lojtarët janë protagonistët e vërtetë të futbollit, jo ne, administratorët apo gjyqtarët. Tifozët e treguan se e duan futbollin të hapur dhe të arritshëm për të gjithë. I dua tifozët italianë, sepse për ta futbolli është gjithçka. Të paktën nga ajo që shoh, janë më pak të përfshirë në politikë. Megjithatë, duhet ta them: nuk i pashë shumë të protestonin kundër Superligës. Ishin tifozët anglezë që u shprehën më fort. Gjithsesi, i respektojmë tifozët. Kemi një memorandum mirëkuptimi me organizatat e tyre dhe mundohemi t’i përfshijmë sa më shumë.
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






