Transmetuar më 06-05-2025, 11:53

Pas zyrtarizimit të rinovimeve me Mohamed Salah dhe Virgil van Dijk, Liverpool-i shpresonte të bindte edhe Trent Alexander-Arnold për të vazhduar aventurën në “Anfield”. Megjithatë, të hënën, mbrojtësi anglez konfirmoi se do të largohet në fund të sezonit.

E bëri këtë me një videomesazh emocional të postuar në rrjetet sociale, ku shpjegoi arsyet e largimit të dhimbshëm, por të pashmangshëm: "Ky është pa dyshim vendimi më i vështirë që kam marrë ndonjëherë në jetën time. Pas 20 vitesh ka ardhur momenti që të konfirmoj se do të largohem në fund të sezonit.

E di që shumë prej jush janë pyetur pse apo janë ndjerë të zhgënjyer që nuk kam folur më parë, por gjithmonë kam dashur të fokusohem vetëm tek interesi i skuadrës, të siguronim titullin e 20-të. Ky klub ka qenë gjithë jeta ime, gjithë bota ime për 20 vite, por kurrë nuk kam njohur ndonjë eksperiencë tjetër në futboll.

Prandaj ky vendim lind nga nevoja për të përballuar një sfidë të re, për të dalë nga zona ime e rehatisë. Dua ta shtyj veten përtej limiteve të mia, si në aspektin profesional, ashtu edhe në atë personal".

Lojtari i lindur në vitin 1998 është shumë pranë kalimit te Real Madridi, ku e pret kontrata 5 ose 6-vjeçare. Një tjetër përforcim ideal me parametër zero për "Los Blancos".

Sipas asaj që raporton “Sky Sports UK”, klubi spanjoll po kërkon ta përshpejtojë operacionin dhe tashmë ka kontaktuar Liverpool-in për ta liruar lojtarin menjëherë, pas përfundimit të Premier League, në mënyrë që ai të mund të luajë në Botërorin e Klubeve muajin e ardhshëm me fanellën e re të Real Madridit.

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit