

Durrës, 6 maj 2025 — Policia e Durrësit ka vënë në pranga autorin e dyshuar të plagosjes së rëndë me thikë të një të riu 21-vjeçar, ngjarje e ndodhur një ditë më parë në lagjen nr. 13 të qytetit bregdetar.
Në kuadër të operacionit të koduar “Baza”, shërbimet e Komisariatit të Policisë Durrës arrestuan shtetasin E. P., 38 vjeç, banues në Durrës, i cili dyshohet se në zonën e njohur si “Baza e Hekurudhave” ka goditur me mjet prerës shtetasin L. I., 21 vjeç.
Gjatë kontrollit të ushtruar në banesën e autorit të dyshuar, policia gjeti dhe sekuestroi thikën e përdorur në krim, si dhe pajisje të shumta që dyshohet se shërbenin për prodhimin e kriptomonedhave. Po ashtu, u zbulua edhe një lidhje e paligjshme e energjisë elektrike.
Pajisjet e sekuestruara janë marrë në dorëzim nga specialistët për Hetimin e Krimeve Kibernetike, të cilët vijojnë hetimet në bashkëpunim me Prokurorinë, për të dokumentuar aktivitetin e paligjshëm të prodhimit të kriptomonedhave.
38-vjeçari tashmë përballet me një sërë akuzash penale, përfshirë:
“Plagosje e rëndë me dashje”
“Prodhimi, mbajtja, blerja apo shitja pa leje e armëve të ftohta”
“Ushtrimi pa licencë i veprimtarive financiare”
“Fshehja e të ardhurave”
“Vjedhja e energjisë elektrike ose impulseve telefonike”
Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës për veprime të mëtejshme ligjore.
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






