

Trajneri Simone Inzaghi ka folur për mikrofonat e “Inter TV” në prag të supersfidës me Barcelonën, gjysmëfinale e kthimit të Ligës së Kampionëve. Në ndeshjen e parë, në shtëpinë e blaugranave, sfida përfundoi me spektaklin 3-3, me një dopietë të shkëlqyer të Dumfries dhe golin e Marcus Thuram në fillim.
Trajneri zikaltër nënvizoi: "E dimë mirë kundër kujt do të luajmë sonte, e pamë qartë të mërkurën e kaluar. Do të nevojitet një Inter i madh, i vëmendshëm dhe i vendosur, sepse gjatë ndeshjes do të ketë shumë vendime për t’u marrë".
Cili është çelësi në ndeshje të tilla kaq të ngarkuara emocionalisht?
Të gjithë jemi të vetëdijshëm për rëndësinë e ndeshjes, por do të duhet të ruajmë kthjelltësinë dhe të qëndrojmë të bashkuar, me distancat e duhura mes reparteve. Do të përballemi me një kundërshtar cilësor, që në ndeshjen e parë na vuri në vështirësi serioze. Sidoqoftë, kemi treguar se dimë të reagojmë goditje pas goditjeje, kjo na jep besim.
Si ndalohet Yamal? Çfarë ju ka mësuar ndeshja e parë në këtë drejtim?
Është shumë e vështirë, do të duhet të përpiqemi të mos ia lejojmë topin, edhe pse në futbollin e sotëm është thuajse e pamundur. Ai do të jetë një objektiv i veçantë, do të prioritizohet, do të përpiqemi ta mbikëqyrim, por siç thashë edhe në ndeshjen e parë, është një talent i jashtëzakonshëm, është shumë i rrezikshëm kur ka topin dhe ekipi në momentet e vështira ia dërgon atij. Më ka habitur shpejtësia e mendimit, kur merr topin, e di tashmë se çfarë do të bëjë në lëvizjen e ardhshme.
A mund të parashikoni diçka të veçantë?
Do ta shohim, Dimarco dhe Carlos kanë luajtur shumë herë së bashku. Do ta shohim, është e drejtë të përqendrohemi te Yamal, por jo vetëm, sepse Barcelona ka edhe të tjerë që mund të krijojnë probleme.
A mund të shohim një Inter ndryshe taktikisht?
Do ta shohim nëse do të bëjmë ndonjë ndryshim taktik. Formacioni ynë është i provuar, do të luajmë në shtëpi, por numrat e Barçës nuk ndryshojnë shumë ndërmjet ndeshjeve në shtëpi dhe jashtë. Në ndeshjen e parë mund të kishim bërë më mirë në disa momente, kjo është e sigurt.
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






