

Trajneri Hansi Flick, i intervistuar nga “Sky Sport” gjatë stërvitjes përfundimtare, në prag të ndeshjes Inter-Barcelona, e prezantoi kështu kthimin e gjysmëfinales së Ligës së Kampionëve: “Kam qenë tashmë në ‘San Siro’ si lojtar, si kundër Interit, ashtu edhe kundër Milanit. Sot dua të shoh një Barcelonë që kënaqet në fushë, pa ndjerë presion. Shpresoj të luajmë si një skuadër e bashkuar”.
Për ndryshimet pas ndeshjes së parë: “Duhet të përshtatemi disi, patjetër. Ka gjëra që mund t’i bëjmë më mirë, duhet të përshtatemi edhe me lojtarët kundërshtarë”.
Për rikthimin e Lewandowskit: “Mendoj se është më mirë ta nisë nga stoli sonte, por Robert është gati. Këtë e ka treguar edhe në stërvitje. Pas kësaj periudhe jashtë fushës për shkak të dëmtimit, ta nisë nga minuta e parë kundër Interit nuk është zgjidhja më e mirë”.
Për Yamal: “Është një gjeni, ajo që bën me topin është me të vërtetë e jashtëzakonshme. Në gjysmëfinalen e parë na riktheu në lojë me atë që bëri. Është një lojtar fantastik, siç janë edhe të tjerë që kemi si Raphinha apo Pedri”.
Në ndeshjen e parë, Barcelona vuajti nga presioni i Dumfries dhe goditjet standarde. A do të ndryshojë diçka në aspektin mbrojtës? Ja si përgjigjet Flick: “Unë dhe stafi im i kemi analizuar të gjitha. Nga jashtë mund të thuhet se ata kanë luajtur mirë, por ne e dimë që na mungojnë disa lojtarë kyç. Duhet të mbrohemi më mirë në goditjet standarde, për këtë jam dakord”.
A mund t’i shmangë sa më shumë këndoret: “Eh, do të ishte një ide e shkëlqyer (qesh). Nuk mund ta bëjmë, sigurisht, por lojtarët e dinë çfarë duhet të bëjnë dhe shpresojmë që gjithçka të shkojë mirë”.
Çfarë i pëlqen tek Interi dhe cili do të jetë faktori vendimtar i ndeshjes: “Ndeshja e parë ishte e pabesueshme, zikaltrit i shfrytëzuan rastet e tyre. Janë një skuadër e fortë, që i pëlqen të luajë futboll. Është shumë e vështirë të mbrohesh kundër mekanizmave të tyre kaq të mirëorganizuar. Duam të provojmë t’i mbyllim hapësirat për ta”.
Ndryshimet e pritshme krahasuar me ndeshjen në “Montjuic”: “Mendoj se edhe Interi do të përshtatet, siç do të bëjmë edhe ne. Ne do të përpiqemi të bëjmë ndryshime për mirë, por në fund gjithçka varet nga mënyra si do të menaxhojmë posedimin e topit dhe fazën mbrojtëse”.
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






