

Drejtoria Vendore e Policisë në Durrës ka reaguar pas denoncimit të bërë publikisht nga Adriatik Lapaj, drejtues i subjektit politik “Shqipëria Bëhet”, lidhur me një ngjarje të ndodhur në lagjen nr. 8 të qytetit.
Sipas denoncimit, një person i armatosur ka kërcënuar me armë kandidaten për deputete, Valbona Myhedini si dhe aktivistët që e shoqëronin gjatë një takimi elektoral.
Policia bën me dije se, menjëherë pas publikimit të rastit, strukturat e DVP Durrës nisën verifikimet dhe kontrollet në terren për identifikimin dhe lokalizimin e autorit. Kandidatja V.M. është paraqitur zyrtarisht për të bërë kallëzim në ambientet e Policisë.
Rreth orës 21:15, shërbimet e Policisë kanë bërë të mundur ndalimin e shtetasit A.B., 45 vjeç, banues në Durrës. Gjatë kontrollit, ky shtetas është konstatuar me një pistoletë plastike (lodër), të cilën, sipas dyshimeve paraprake, e ka përdorur për të frikësuar kandidaten dhe stafin e saj, duke e treguar në mënyrë demonstrative.
Nga verifikimet rezulton se 45-vjeçari vuan nga probleme të shëndetit mendor dhe është i evidentuar pranë shërbimeve psikiatrike. Aktualisht, ndaj tij po vijojnë procedurat e mëtejshme ligjore nën drejtimin e Prokurorisë.
Më herët sot, Lapaj lëshoi këtë deklaratë publike:
"Pak minuta më parë, një person i armatosur në Durrës ka kërcënuar me armë kandidaten tonë Valbona Myhedin dhe aktivistët që e shoqëronin, teksa ajo zhvillonte takime me qytetarët në lagjen nr. 8, pranë shkollës “Eftali Koçi”.
Valbona Myhedin, shtetase amerikane, është përballur me një akt burracak frikësimi, që nuk do të kalojë nën heshtje.
I bëjmë thirrje Policisë së Shtetit të veprojë menjëherë, ndërsa do vëmë në dijeni Ambasadën Amerikane.
Ai që i tregoi armën dy grave, do përgjigjet para ligjit!
Rrugëtimi ynë nuk ndalet! 11 maji është afër!
P.s personi në video është ai që ka kryer këtë akt të ulët".
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






