Transmetuar më 05-05-2025, 14:24

Berisha: Do miratojmë statusin e minatorit brenda 100 ditëve, rroga juaj minimale do jetë 1 mijë euro. Do mbrojmë shëndetin e minatorëve, pensionet tuaja do jenë më të lartat në vend

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, zhvilloi një takim me minatorët dhe banorët e qytetit të Bulqizës, ku prezantoi disa nga angazhimet e tij në kuadër të zgjedhjeve të 11 majit, duke vënë theksin te politikat që lidhen me sektorin minerar dhe punonjësit e tij.

Berisha tha se nëse i besohet drejtimi i qeverisë pas zgjedhjeve, një nga hapat e parë do të jetë miratimi i statusit të minatorit brenda 100 ditëve të para të mandatit të ri. Ai tha se minatorët do të kenë një pagë minimale prej 1 mijë eurosh dhe se pensionet për këtë kategori do të jenë më të lartat në vend.

Duke u ndalur në çështjet që lidhen me sigurinë dhe shëndetin e punonjësve të nëntokës, Berisha premtoi trajtim shëndetësor të specializuar për minatorët, në përputhje me natyrën e vështirë të punës së tyre. Ai u angazhua gjithashtu që renta minerare të mbetet në përfitim të komunitetit lokal dhe jo të shkojë në arkën e qeverisë qendrore.

Një tjetër nismë e prezantuar ishte “Karta e Konsumatorit”, e cila, sipas Berishës, do t’u ofrojë minatorëve dhe kategorive të tjera të punonjësve ulje të menjëhershme për çmimet e produkteve të domosdoshme të jetesës.

Në vijim të fjalës së tij, Berisha kritikoi qeverinë aktuale për mungesë të mbështetjes ndaj minatorëve dhe akuzoi kryeministrin Edi Rama për, siç u shpreh ai, “dështim moral dhe politik”. Ai ftoi qytetarët që më 11 maj të shprehin me votë një orientim të ri për vendin, duke u angazhuar për një shoqëri më të drejtë dhe më të ndjeshme ndaj nevojave të punëtorëve dhe komuniteteve të tyre. /noa.al

FJALA E PLOTË

Mirëdita dhe përshëndetjet e mia më të përzemërta, ju qytetarëve të Bulqizës të pranishëm në këtë sallë, por edhe të gjithë banorëve të këtij rrethi kudo që janë.

Dua të përulem me shumë nderim para jush, burra dhe gra të Bulqizës, për kontributin e jashtëzakonshëm që keni dhënë në ekonominë, në shkencën, në dijet, arsimin, kulturën e këtij vendi.

Unë vij sot tek ju edhe me një ndjenjë të fortë përgjegjësie.

Në fakt edhe me një ndjesë reale për padrejtësitë që janë bërë ndaj jush.

Shoqëria shqiptare, shteti shqiptar kanë qenë të padrejtë ndaj minatorëve të Bulqizës dhe Shqipërisë.

E them këtë sepse ju, baballarët tuaj, njerëzit tuaj, në dekada e dekada, keni derdhur lumenj djerse nëntokë në kushte shumë të vështira me sakrifica të mëdha, herë herë dhe jetën dhe ju nuk keni marrë, nuk jeni shpërblyer asnjëherë për atë që meritoni.

Unë kam biseduar në mënyrë të përsëritur me përfaqësuesit tuaj, me kryetarin e sindikatave, Përparimin, Shaqirin, dhe vij para jush me një koncept të ri.

Dhe ky koncept është ky: Shoqëria ka borxh të madh ndaj minatorëve.

Siç ka borxh ndaj pronarëve, ndaj të përndjekurve politikë. Tre janë kategoritë ndaj të cilave shoqëria shqiptare ka detyrime.

Dhe u garantoj se vij i vendosur në mënyrë përfundimtare që ndaj këtyre tre kategorive, borxhi të shlyhet.

Kjo do të thotë se në 100 ditët e para do firmoset dhe do zbatohet statusi i minatorit.

Kjo do të thotë se do parashikohet rrogë minimale 1 mijë euro. Minimalja!

Kjo do të thotë se pensionet tuaja do jenë më të lartat në Shqipëri. Në krye!

Kjo do të thotë, natyrisht bëj një sqarim këtu, sipërmarrësit ne i përgjigjemi që do detyrohet të lëvizë rrogën nga 800 në 1 mijë e më tutje, ne do i përgjigjemi atij. Ne do e lehtësojmë atë në taksa. Ne do ia ulim taksat atij. Ne do ia shesim energjinë atij nga 18 lekë në 6 lekë.

Dhe do bëjmë një gjë shumë të madhe për sipërmarrësin eksportues.

Do kompensojmë qindarkë për qindarkë euron që e shtrinë përdhe trafikantët.

Futet narkoeuro me kontejner dhe këtu ndërmarrja falimenton se ai me euro eksporton.

Por euroja e zhvlerësuar atë e dëmton 35 përqind.

Qëllimi ynë është që këto pasuri botërore, Bulqiza përsëri ka rezerva botërore kromi, absolutisht ua them unë këtë. Janë bërë studime nga kompanitë më të mëdha në botë. Ata më thanë mua se janë akoma edhe 22 milionë ton për t’u shfrytëzuar.

Nuk është vetëm Bulqiza. Shqipëria ka pasuri përrallore minerare. Malet e saj janë mineral.

Kështu që çështja e statusit do jetë një nga çështjet më serioze tona.

Trajtimi mjekësor do jetë krejtësisht i veçantë, sipas profilit të minierave.

Do mbrohet me çdo kusht shëndeti juaj.

Minierat kanë grimcat, është e njohur.

Pra, shëndeti i minatorit do ketë një përparësi të madhe.

Karta e konsumatorit do shtrihet tek të gjithë minatorët, zjarrtarët, gjeologët.

Karta e konsumatorit do të thotë që do blini çdo gjë që u duhet për jetesën tuaj 20 përqind më lirë.

Tjetër. Ne futëm për herë të parë rentën sepse ne jemi parti e takave të ulëta. Ajo taksë të ngelej për Bulqizën, për shkollat, për qendrën shëndetësore.

Merr fund!

Dhe marrëveshja ndërkombëtare e Shqipërisë për rentën ka këtë përcaktim.

Renta u vendos mbi një kuadër ndërkombëtar të OKB, sipas të cilës ajo duhet të merret dhe t’u jepet autoriteteve lokale për nevoja. Këta e grabisin, e marrin vetë.

Merr fund ajo. Renta do i mbetet komunitetit lokal.

Dhe ky status, kjo situatë do shtrihet në të gjithë Shqipërinë. Pa përjashtim.

Made in Albania është shtylla e dytë kryesore e prodhimit tonë. Krenaria jonë është prodhimi ynë kombëtar.

Dhe ne mund të nxjerrim minerale ndoshta më shumë se çdo vend tjetër në Ballkan. Askush nuk ka shumëllojshmërinë e mineraleve dhe minierave tona.

Jo vetëm do i nxjerrim, por do i shndërrojmë më pasuri dhe mirëqenie për ju.

Unë përgëzoj zotin Spahiu për angazhimin e tij direkt dhe zotin Gëzim Kalaja, që me aq vendosmëri ka mbrojtur kauzën tuaj. Kauza juaj është e drejtë dhe ajo kauzë me datën 11 Maj triumfon në mënyrë përfundimtare.

Unë personalisht u them ju se atë e grupoi si një borxh që Shqipëria ka ndaj jush. Dhe borxhi do kthehet. Borxhliu që nuk kthen borxhin është i mjerë.

Ne do u vendosim ju në piedestalin që meritoni!

Miq, ky është programi ynë për minatorët.

Por dëgjojeni pak programin tjetër. Një pyetje t’u bëj, po çfarë i hyn në punë minatorëve që rraskapiten 8 orë në galeri, Lamborghini i Noizit? Më thoni ju mua?

Çfarë u sjell minatorëve Lamborghini i Noizit. Sot ai në Devoll, mosha e ka bërë të rrjedhur Berishës.

Unë nuk i them se je i rrjedhur Edi Rama.

Edi, nuk je i rrjedhur, por je i trembur. Je i tmerruar. Ti edhe klounin bën, por prapë hajde këtu në këtë sallë të dalim përpara këtyre burrave.

Po ta mban, hajde këtu, mos dil me Lamborghinin e Noizit, po dil me këta.

Dil pak këtu, dëgjoji këta burrash se çfarë sakrificash bëjnë.

Po ty nuk ta vret fare për ta se mendjen e ke te Lamborghinët, e ke te Kopshti i Edenit që e blen 5 milionë euro për të eglendisur sytë, dhe të sëmurët i lë pa ilaçe në Spitalin Onkologjik.

Ndaj dhe lëri ato ti..

Ai bën klounin, po nuk është as kloun.

Problemi i tij është se nuk di ku të fusë kokën.

Ai është në rreth të kuq, prandaj bën klounin. Ai është në rreth të kuq sepse siç u damkos në rezolutën e udhëheqjes politike më kryesore të Europës, ky është armik i pluralizmit, ky është armik i opozitës, ky është sipërmarrës i përbashkët me krimin.

Ndaj ta kesh të qartë ai se kurrë, deri në orën e fundit të jetës së tij, këto damka nuk i hiqen.

Nuk del nga rrethi i kuq më.

Miq, sigurisht që unë bëra gjithçka të paraqes të vërtetën tuaj në Europë dhe në botë.

Bëra gjithçka që duhej bërë.

Por u garantoj se asnjë presje, Europa nuk do ta pranonte po të mos vërtetohej se është 100 përqind e vërtetë.

Edi Rama, ke marrë fund!

U përpoqe t’i bësh gropën opozitën, por ke rënë brenda vetë për të mos dalë kurrë më.

Ta dini këtë. Nuk del më!

Ndaj dhe 11 Maji, le të bashkohemi pavarësisht nga bindjet politike.

Minatorët, pavarësisht bindjeve që keni, statusin do e gëzoni.

Pensioniste e pensionistë, që të gjithë pa përjashtim, nuk do keni kurrë pension nën 200 euro.

Të gjithë ata me ndihmë ekonomike do kenë ndihmën ekonomike 200 euro.

Studentët me bursë do kenë bursën 200 euro.

Fëmijët jetimë do marrin 200 euro.

Do e bëjmë më të drejtë këtë shoqëri, më njerëzore, më të jetueshme.

Dhe kjo brenda 100 ditëve.

Nuk ka lidhje me pushtetin e Sali Berishës, ua them me sinqeritetin më të madh. Në këtë stad të moshës time, nuk kam unë ambicie pushteti.

Por unë e ndjej mision që të mos pajtohem kurrë me këtë përçmim dhe poshtërim që u bëhet 760 mijë shqiptarëve që lihen me një pension mizerabël, në një kohë kur të tjerët marrin rrogë shteti sa 50 pensione.

Në një kohë kur të tjerët blejnë kopshtin e Edenit sa 10 mijë pensione.

Në një kohë kur të tjerët zhdukin 130 milionë euro të djegësit sa 820 mijë pensione.

Këto marrin fund.

Ja pra pse unë jam angazhuar.

Dhe unë kërkoj nga ju, energjia juaj është mijëra herë më e madhe se e imja.

Me 11 Maj ju e keni në dorë fitoren.

Ndaj dhe votoni fitoren.

U garantoj se çdo qytetar do ketë një mundësi tjetër, një mbështetje të re.

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit