Transmetuar më 05-05-2025, 16:43

Berisha me banorët në Maqellarë: Vetëm 6 ditë na ndajnë nga dita e madhe, dita kur qytetarët do të flasin me votë dhe do të zgjedhin ndryshimin

Kryetari i Partisë Demokratike, Prof. Dr. Sali Berisha, zhvilloi të hënën një takim me banorët e Maqellarës, në prag të zgjedhjeve të 11 majit, të cilat ai i cilësoi si një moment vendimtar për të ardhmen e vendit.

Berisha shprehu mirënjohjen për mbështetjen e palëkundur që banorët i kanë dhënë Partisë Demokratike dhe projektit të Aleancës për Shqipërinë Madhështore. Ai vlerësoi Maqellarën si një vatër të qëndresës dhe dinjitetit qytetar, që sipas tij ka qëndruar gjithmonë në krah të së vërtetës.

Duke folur për realitetin social dhe ekonomik të vendit, Berisha tha se emigrimi masiv është një nga plagët më të rënda që po përjeton shoqëria shqiptare. “Qytetarët, dhe veçanërisht banorët e Maqellarës, janë të ndershëm, punëtorë, por janë detyruar të braktisin vendin për shkak të varfërisë dhe mungesës së shpresës që ka prodhuar ky regjim,” tha ai.

Ai e përshkroi 11 majin si një ditë të madhe për qytetarët shqiptarë, një ditë kur – siç tha – “do flasë vota dhe do flasë ndershmëria e njerëzve të thjeshtë”. Berisha i bëri thirrje të gjithëve që të marrin pjesë masivisht në votime dhe të zgjedhin ndryshimin, për një Shqipëri që u jep mundësi të rinjve, që ndihmon fermerët dhe rikthen shpresën për të jetuar në vendin e vet.

“Nuk ka kohë për hezitim. Është momenti të bashkohemi për një Shqipëri të drejtë, të barabartë dhe me dinjitet,” tha në përmbyllje lideri i opozitës në mitingun që monitoroi nga afër noa.al.

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit