Transmetuar më 05-05-2025, 10:59

Raphinha, ylli brazilian i Barcelonës, ka zbuluar një prapaskenë të pazakontë nga karriera e tij. Ai mund të kishte luajtur për kombëtaren italiane në Kampionatin Europian 2020. Deklarata e tij vjen në një intervistë për kanalin në YouTube të gazetares braziliane Isabela Pagliari dhe hedh dritë mbi një moment që mund ta kishte ndryshuar tërësisht rrjedhën e karrierës së tij ndërkombëtare.

Lojtari e konfirmon vetë këtë mundësi, që kishte qarkulluar më parë në formë spekulimi. Madje edhe drejtori sportiv i Barcelonës, Deco, e kishte përmendur në të kaluarën. Raphinha, megjithatë, e sjell gjithçka në nivel personal me rrëfimin e tij të sinqertë:

"Do të duhej të isha pjesë e kombëtares italiane që fitoi Europianin e vitit 2020. Praktikisht gjithçka ishte gati, por për fat të mirë pasaporta italiane nuk mbërriti në kohë. Nga kombëtarja italiane më telefononin gjithmonë, sidomos Jorginho. Stafi kishte një projekt fantastik për mua, më kishin lënë shumë mbresa".

E megjithatë, pavarësisht entuziazmit dhe vëmendjes nga ana e Italisë, Raphinha nuk mund t’i fshehë ndjenjat që kishte për vendlindjen e tij dhe fanellën e verdhë braziliane. Ishte pikërisht kjo ndjesi e brendshme që ndikoi në vendimin përfundimtar: "Në të njëjtën kohë, thellë-thellë, kisha ende një përqindje shpresë se të mund ta vishja fanellën e Brazilit. Pastaj e bëra këtë, e quaj fat të mirë që pasaporta italiane nuk mbërriti në kohë".

Sot, Raphinha është pjesë e pandashme e kombëtares së Brazilit. Në retrospektivë, ajo “vonesë fatlume” e pasaportës italiane rezultoi të ishte vendimtare për fatin e tij futbollistik.

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit