Transmetuar më 05-05-2025, 08:50

Në zonën mikse të “San Siros”, pas ndeshjes Inter-Verona, “Sport Mediaset” intervistoi autorin e golit vendimtar, Kristjan Asllani: “Duam të shkojmë deri në fund të kampionatit dhe të shohim si do të jenë gjërat, sepse në futboll nuk i dihet kurrë.

Pastaj, sigurisht që ishte e rëndësishme të fitonim ndaj Hellas Verona. E dimë çfarë na pret të martën, prandaj shumë lojtarë pushuan. Mendoj se ia dolëm mirë që e fituam këtë ndeshje mes shumë vështirësive, por gjëja kryesore ishte të merrnim tri pikët”.

Si u vendos kush do ta gjuante penalltinë?

Një ditë para ndeshjes provuam unë, Zielinski dhe Arnautovic, por në fushë vendosën ata. Sidomos Arna vendosi të ma linte mua penalltinë, ndaj e falënderoj.

A besoni ende te titulli, se Napoli mund të rrëshqasë?

Po, besojmë deri në fund, derisa të ketë siguri matematikore. I luajmë këto ndeshje, sepse e dimë që në futboll mund të ndodhë gjithçka. Duhet t’i bëjmë komplimente edhe Napolit, që po bën një kampionat të shkëlqyer, por në futboll nuk i dihet kurrë. Jemi në garë dhe presim çfarë do të ndodhë deri në fund.

Nga jashtë flitet shumë për ty…

E kam thënë gjithmonë, nga jashtë flitet shumë për mua, por nuk më intereson. Kam një mësues si Hakan (Çalhanoglu), që më do dhe më ndihmon, ndaj unë besoj te njeriu, jo vetëm te lojtari. I falënderoj të gjithë djemtë, kanë qenë gjithmonë pranë meje. Çfarë thuhet jashtë, le të mbetet aty. Mua nuk më intereson, kur më jepet mundësia, përpiqem gjithmonë të jap më të mirën.

Çfarë mesazhi i çoni Barcelonës?

Asnjë mesazh. Tani që jemi këtu, sigurisht që duam të shkojmë në finale. E dimë çfarë ndodhi dy vite më parë, kështu që kemi dëshirë për hakmarrje. Sidoqoftë nuk i dihet, sepse edhe ata janë një skuadër e madhe. Do të jetë me siguri një ndeshje e bukur.

Sa e rëndësishme do të ishte të rikthehet Lautaro?

E dimë që është shumë i rëndësishëm për Interin. Po flasim për kapitenin tonë, e dimë çfarë lojtari është dhe sa shumë i nevojitet kësaj skuadre.

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit