Transmetuar më 05-05-2025, 08:20

Igor Tudor komentoi barazimin e Juventusit në fushën e Bologna për mikrofonin e DAZN: "E kisha përgatitur ndeshjen pak ndryshe, me skemën 3-5-2. Dihet që Bologna është një skuadër e ndërtuar mirë dhe në këtë stadium ka entuziazmin e duhur për të të dëmtuar. Mendoj se është një pikë e mirë, jam i kënaqur. Ishte një ndeshje solide, një fushë ku të gjithë kanë vuajtur dhe, pavarësisht mungesave, kemi marrë diçka pozitive".

Më tej, trajneri i Juventusit u ndal te zgjedhjet taktike që bëri për këtë sfidë: "E përgatitëm ndryshe krahasuar me ndeshjet e kaluara. Bolonjezët kanë përgatitje fizike të mirë, pas tyre janë vite pune. Momenti që po kalojmë na detyroi të luajmë kështu. Mbeten edhe tri ndeshje nga fundi i kampionatit, jemi ende në vendin e katërt, me pikë të barabarta me Lazion dhe Romën.

Kishim raste që nuk i shfrytëzuam, por djemtë dhanë gjithçka. Kur lodhesh shumë, në metrat e fundit humbet qartësinë. Edhe ata që hynë nga stoli dhanë maksimumin që mundën".

Në lidhje me sfidën ndaj Lazios, trajneri kroat tha: "Nuk mendoj se do të jetë vendimtare. Në fund të fundit janë edhe 9 pikë në lojë, kështu që asgjë nuk vendoset me një ndeshje. Duhet të mendojmë ndeshje pas ndeshjeje, pastaj do të dalë në pah edhe cilësia. Çdo skuadër po lufton për diçka, Udinese për objektivat e saj, më pas do të kemi edhe Venezian”.

Pastaj, për "Medisset", trajneri bardhezi shtoi:

Morët përgjigje të mira edhe nga disa lojtarë që luajnë më pak, si Savona?

Po, Savona bëri një ndeshje të mirë, edhe pse nuk ishte e lehtë. Më pëlqyen edhe ata që hynë në lojë, është e rëndësishme t’i kemi të gjithë gati deri në fund.

Si ju duk skuadra nga ana e mentalitetit?

Sa i përket shpirtit luftarak, sot ishte aty në fushë. Ndeshja u përgatit në mënyrë ndryshe, bolonjezët luajnë një kundër një, shkojnë direkt te lojtari kundërshtar. Ne nuk donim t’ua jepnim mundësinë ta bënin këtë.

Sa rëndësi ka që keni arritur Romën dhe Lazion, të cilat fituan?

Ka rëndësi çdo gjë. Duhet të mendojmë ndeshje pas ndeshjeje, të gjitha janë të vështira.

Si arrini të qëndroni i qetë përballë gjithë zërave?

Asnjëherë nuk më thotë njeri gjë, unë as nuk lexoj e as nuk dëgjoj. Jam i përqendruar te puna.

A ke dëshirë për të qëndruar te Juve?

Kam dëshirë për të bërë një ndeshje shumë të mirë ndaj Lazios, për këtë kam shumë dëshirë.

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit