Transmetuar më 05-05-2025, 08:12

Bayern Munich e ka fituar titullin kampion të Bundesligës për herë të 34-t në historinë e klubit, duke u rikthyer në majën e futbollit gjerman. Skuadra e Vincent Kompany siguroi trofeun pas një sezoni të dominuar, ndërsa festimet janë paralajmëruar me tifozët në “Allianz Arena” dhe ballkonin e bashkisë.

Një sukses që vulos edhe njëherë statusin e Bayernit si forca absolute e futbollit në Gjermani. Shkurorëzohet kësisoji Bayer Leverkusen, trajneri i të cilit nuk ka hezituar t’i urojë bavarezët për suksesin e merituar.

Ja deklaratat e para të trajnerit Vincent Kompany, të raportuara nga “Kicker”: "Tani kemi kohë ta shijojmë triumfin në Bundesliga, çfarë emocionesh të jashtëzakonshme! Urime lojtarëve për paraqitjen e jashtëzakonshme gjatë gjithë sezonit, ia dolëm së bashku. Kemi fituar si një skuadër.

Një falënderim i madh edhe për të gjithë ata që punojnë pas skene në këtë klub të madh, veçanërisht në repartin sportiv. Puna juaj e palodhur është e rëndësishme dhe po jep fryte. Duhet të vazhdojmë të përkushtohemi maksimalisht, sezoni nuk ka përfunduar ende. Kemi ende shumë për të dhënë. Ta përfundojmë sezonin në mënyrën më të mirë së bashku.

Së fundi, një falënderim i madh për të gjithë tifozët e Bayernit në mbarë botën, për mbështetjen e tyre. Kanë qenë të mrekullueshëm. Për të gjithë ata që do të jenë të pranishëm: le të krijojmë një moment të veçantë së bashku të shtunën në ‘Allianz Arena’, ta festojmë titullin siç i ka hije këtij klubi të madh".

Me stilin tipik të një profesionisti të madh, Xabi Alonso pranon të zbresë nga froni i Gjermanisë, teksa titulli kampion rikthehet në duart e Bayern Munich. Falë barazimit 2-2 mes Leverkusen dhe Freiburg, bavarezët mund ta festojnë edhe matematikisht titullin e tyre të 34-t.

Në vijim janë fjalët e trajnerit të "Aspirinave", të raportuara nga “Kicker”: "Urime për Bayernin, ishte një kampionat plotësisht i merituar prej tyre. Ata ishin skuadra më e mirë dhe më e qëndrueshme".

Max Eberl, drejtori sportiv i Bayern Munich, e komentoi kështu fitoren e titullit kampion nga bavarezët: "Qëllimi ynë më i madh dhe më i rëndësishëm, kampionati gjerman, u arrit. Po festojmë me gjithë skuadrën dhe me trajnerin tonë Vincent Kompany.

Urime për këtë sezon! Komplimente edhe Bayer Leverkusen, që na vuri në provë deri në fund. Tani mezi presim të festojmë së bashku me tifozët të shtunën e ardhshme në stadiumin tonë dhe më vonë në ballkonin e bashkisë".

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit