

Në një nga episodet më të fundit të podcast-it të tij, Toni Kroos, legjenda gjermane dhe ish-mesfushori i Real Madridit, ka bërë një vlerësim të fortë dhe pa rezerva për Pedrin, yllin e Barcelonës. Edhe pse rival historik në fushë, Kroos nuk i kurseu fjalët për ta cilësuar 21-vjeçarin si një prej lojtarëve më të rëndësishëm në futbollin modern.
Pa hezitim, Kroos tha: "Pedri është më i miri në botë në rolin e tij. Për mua, një lojtar si ai është më i rëndësishëm se Lamine Yamal, Raphinha apo Lewandowski".
Një pohim i tillë, që e vendos mesfushorin kanarian përpara sulmuesve më të mëdhenj të skuadrës katalanase, tregon qartë sa shumë e vlerëson Kroos ndikimin që ka Pedri në fushë. Sipas tij, fatet e ndeshjeve nuk varen vetëm nga ata që shënojnë, por edhe, ndoshta më shumë, nga ata që dinë të ndërtojnë dhe kontrollojnë lojën: "Sulmuesit i vendosin ndeshjet me golat e tyre, por për të arritur deri aty duhet dikush tjetër që të asiston. Pedri është aktualisht lojtari më i mirë në botë në rolin e tij".
Kroos theksoi më tej se mungesa e Pedrit ndihet menjëherë në çdo ndeshje, pavarësisht kundërshtarit. Ai nuk është vetëm një lojtar që kontribuon me statistika, por element kyç në çdo aspekt të lojës: "Pedri, në përgjithësi, është një lojtar që të mungon kur nuk luan, pa marrë parasysh kundërshtarin. Nuk kufizohet te golat apo asistet, ai ofron zgjidhje".
I impresionuar nga performancat e tij këtë sezon, Kroos vuri në dukje se Pedri ka spikatur jo vetëm në ndeshjet e Champions League, por edhe në La Liga, ku shifrat individuale flasin vetë: "E kam vëzhguar çfarë po bën këtë sezon, jo vetëm në Champions. Ai po dominon kundërshtarët në çdo ndeshje. Në La Liga është edhe më spektakolar. I ka kaluar mesatarisht 11-12 herë mbrojtësit për ndeshje, çka është një nga gjërat më të vështira për një mesfushor. Për mua është më i miri. Nëse humb një lojtar si ai, e ndien menjëherë".
Në përfundim, Kroos e cilësoi Pedrin si një mesfushor unik, me dhunti të rralla për të dribluar në hapësira të ngushta. Cilësi që, sipas tij, e bën të pazëvendësueshëm: "Pedri është një nga të paktët mesfushorë në rolin e tij që ka dhuntinë për të dribluar në hapësira të ngushta. Një lojtar si Pedri të ndihmon në çdo fazë të lojës”.
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






