

GAZA- Agjencia për mbrojtje civile në Gazë tha më 4 maj se nga sulmet ajrore izraelite në territorin palestinez janë vrarë 16 persona, përfshirë tre fëmijë.
Gjashtë persona u vranë në sulmet gjatë natës në Han Junis, në jug të Rripit të Gazës, tha zëdhënësi i agjencisë, Mahmud Bassal. Në mesin e tyre ishin edhe dy djem pesë dhe dy vjeç, kur një sulm goditi një ndërtesë në Al-Mavasi.
Kjo agjenci më pas tha se edhe dhjetë persona u vranë pas një sulmi në një tendë në Al-Mavasi, në mesin e tyre edhe një fëmijë dhe shtatë gra. Ushtria izraelite ende nuk ka komentuar për këto sulme.
Megjithatë, në një deklaratë të publikuar mëngjesin e së dielës, ushtria izraelite tha se ka “goditur më shumë se 100 caqe terroriste në mbarë Rripin e Gazës” në dy ditët e fundit.
Izraeli pretendoi po ashtu se janë gjetur armatime dhe janë vrarë “një numër i terroristëve” në jug të Gazës.
Izraeli nisi ofensivën e tij ushtarake në Gazë më 18 mars pas dy muajsh armëpushim në luftën e tij kundër Hamasit grupit palestinez të shpallur organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian – që u nxit nga sulmi i grupit radikal palestinez në Izrael më 7 tetor 2023.
Ministria e Shëndetësisë, në Gazën e udhëhequr nga Hamasi, ka thënë se të paktën 2.436 persona janë vrarë që kur Izraeli rinisi fushatën në Gazë, duke bërë që numri i përgjithshëm i viktimave të arrijë në 52.535.
Izraeli po ashtu ka bllokuar dërgesat me ndihma humanitare për në Gazë. Sipas Izraelit, bllokada synon t’i bëjë presion Hamasit që të lirojë pengjet e mbetura që mori më 7 tetor, kur vrau afër 1.200 persona dhe rrëmbeu afër 250 të tjerë./REL
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






