

Konferenca për shtyp e Carlo Ancelottit nuk ishte e fokusuar te ndeshja e ardhshme e La Liga-s mes Real Madridit dhe Celta Vigos, por më shumë te zhurma e madhe mediatike që ka shpërthyer ditët e fundit: kalimi i mundshëm i trajnerit italian në stolin e kombëtares së Brazilit në fund të këtij sezoni.
Një marrëveshje që u përfol si e kryer, por u përgënjeshtrua nga ndërhyrja e klubit të Florentino Perez, i cili nuk do të lejojë një ndarje të tillë në këto kushte.
Sipas zërave më të fundit, Ancelotti pritet të qëndrojë te Real Madrid të paktën deri në Kupën e Botës për Klube, ndërsa për zërat mbi Brazilin ai tha në konferencë:
“Mund ta sqaroj këtë thashethemnajë. E vërteta është se kam shumë dashuri për klubin tim, për lojtarët dhe tifozët. Për të ardhmen time do të flas më 25 maj”.
I pyetur se si e imagjinon ndarjen nga Real Madridi, italiani u përgjigj me diplomaci: “Nuk do ta tregoj, sepse nuk e di çfarë do të ndodhë. Por çfarëdo që të ndodhë, do të jetë një ndarje fantastike. Nuk kam pasur kurrë një përplasje me klubin në 6 vite, dhe nuk do të ndodhë as në ditën e fundit, kurdo që të jetë ajo. Mund të jetë më 25 maj, më 2026…”
Në lidhje me këtë sezon, dhe nëse ka qenë më i vështirë në aspektin njerëzor, Ancelotti tha: “Nga ana personale jo, por nga ana profesionale ka qenë padyshim më i komplikuar se zakonisht. Vijmë nga një sezon pothuajse perfekt dhe kemi hasur shumë vështirësi.
Kanë mbetur edhe 5 ndeshje, gjithçka mund të ndodhë. Ajo që nuk mund të ndodhë është të dorëzohemi. Duhet t’i fitojmë këto 5 ndeshje dhe të japim gjithçka. Nëse fitojmë, sezoni mund të marrë një kthesë dhe të bëhet shumë i mirë”.
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






