Transmetuar më 04-05-2025, 10:25

Kristjan Asllani ishte protagonisti absolut në fitoren minimale të Interit kundër Hellas Verona, duke shënuar golin e vetëm të takimit me penalltinë e ekzekutuar me qetësi të jashtëzakonshme. Në mungesë të Hakan Calhanoglu, mesfushori shqiptar mori përsipër jo vetëm “regjinë” e lojës, por edhe përgjegjësinë për të goditur nga pika e bardhë. Dhe nuk zhgënjeu. Performanca e tij e kompletuar u reflektua edhe në vlerësimet e larta që mori nga mediat më të rëndësishme italiane.

“TuttoMercatoWeb” e vlerëson me notën 7, duke theksuar: “Nga Calhanoglu trashëgon edhe detyrën e ekzekutuesit të penalltive. Asllani u shfaq i ftohtë nga pika e bardhë. Gati sa nuk realizoi një dopietë nga distanca, e dha rotacionit të Interit një ritëm të moderuar, mjaftueshëm për ta çuar ndeshjen drejt një fitoreje, që nuk u vu asnjëherë në diskutim”.

Edhe “Corriere dello Sport” i jep notën 7 shqiptarit: “Për shkak të pezullimit të Calhanoglu, e nis titullar si ‘regjia’ e skuadrës dhe imitoi turkun nga pika e bardhë. Kësisoji, Asllani i dha fund ‘thatësirës’ së golit në Serie A që zgjaste prej më shumë se një viti. Ai kishte nevojë për një mbrëmje të tillë për të forcuar vetëbesimin”.

Vlerësim identik vjen edhe nga “L’Interista”, portali pranë ambientit zikaltër: “Jo Zielinski, por goditi ai nga pika e bardhë. Asllani veshi mantelin e superheroit si ‘Super-Calhanoglu’ dhe zhbllokoi një ndeshje potencialisht të rrezikshme me një goditje të papritshme. Arkitekti i mesfushës zikaltër, edhe në 3/4 e fushës. Goli i tij i dytë sezonal, pas atij ndaj Lazios”.

“Gazzetta dello Sport” tregohet disi më e rezervuar, duke i dhënë notën 6.5: “Tri gjëra të mira, më të mirat në të gjithë Interin: penalltia, goditja me të djathtën nga jashtë zone dhe asisti me kokë për Arnautovic. Shqiptari meriton komplimentet e shokëve të skuadrës”.

Në të njëjtën linjë qëndron edhe “Tuttosport”, që e vlerëson me notën 6.5: “Merr topin dhe shkon vetë te pika e bardhë si zëvendës i vërtetë i Calhanoglu, spikati edhe në fund të pjesës së parë me një tjetër goditje. Mbrëmje pozitive për Asllanin”.

Ndërkohë, edhe “Corriere della Sera” dhe “La Repubblica” i vendosin notën 7, duke përforcuar idenë se Asllani jo vetëm që e përmbushi detyrën, por tregoi edhe karakter, qetësi e pjekuri në një moment vendimtar për sezonin e Interit.

Notat e Kristjan Asllanit, pas Inter-Verona 1-0:

“TuttoMercatoWeb”: 7

“Gazzetta dello Sport”: 6.5

“Corriere dello Sport”: 7

“Tuttosport”: 6.5

“Corriere della Sera”: 7

“La Repubblica”: 7

“L’Interista”: 7

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit