

Plani i Hansi Flick doli me sukses në një nga ndeshjet më delikate të këtij fundsezoni për Barcelonën. Trajneri gjerman vendosi të bëjë 9 ndryshime në formacionin titullar përballë Real Valladolid, duke iu besuar të rinjve dhe atyre që kishin pasur më pak minuta gjatë sezonit. Edhe pse sfida nuk ishte e lehtë dhe katalanasit vuajtën në shumë momente, verdikti përfundimtar ishte pozitiv: tri pikë të arta për të mbajtur kreun e La Liga-s dhe shtuar presionin mbi ndjekësit e drejtpërdrejtë.
Pas ndeshjes, Flick shprehu qetësinë dhe besimin në punën e bërë, duke vlerësuar maksimalisht sakrificën e skuadrës dhe përkushtimin e elementëve të rinj: "Jam i kënaqur. Vuajtëm më shumë sesa duhej, por qëllimi ishin tri pikët. Nuk jam i zhgënjyer.
Kur bën 9 ndryshime në formacion, nuk është e lehtë për lojtarët. Janë të rinj dhe unë besoj tek ata. Të rinjtë japin gjithçka, por sonte nuk ishte e lehtë. Dukej se ndeshja po bëhej e rrezikshme, por në fund Araujo dhe Christensen luajtën mirë. Ter Stegen tregoi se sa i mirë është".
Edhe pse Ter Stegen u rikthye në fushë pas një mungese të gjatë, Flick e bëri të qartë se vendi i titullarit në portë, të paktën për momentin, i përket Wjciech Szczesny: “Polaku do të luajë në Champions ndaj Interit dhe në ‘klasiken’ ndaj Real Madridit. Ky është plani ynë, por sot jam shumë i lumtur për rikthimin e Marc”.
Kështu, portieri polak pritet të jetë njeriu i besuar i Flick në dy ndeshjet më vendimtare të sezonit: kthimin ndaj Interit në Champions League dhe sfidën prestigjioze kundër Real Madridit në kampionat.
Për fat të keq, jo gjithçka shkoi sipas planit për trajnerin gjerman. Dani Rodríguez, debutuesi i ditës, u detyrua të largohej nga fusha që në pjesën e parë, pas një dëmtimi serioz në shpatull, ndërsa Gavi shfaqi shqetësime fizike, ndonëse nuk duket të jetë gjë e rëndë: “Gavi është mirë. Më tha se ndihet mirë, por duhet të presim deri nesër (të dielën). Për Dani jam shumë i trishtuar. Vinte nga dëmtime dhe ishte ndeshja e tij e parë me ne. Ishim shumë të lumtur për të. Tregoi atë që shohim në stërvitje, përpiqet të bëjë gjëra pozitive. Do të kujdesemi për të dhe, kur të kthehet, do të stërvitet sërish me ne”.
Përballë një kundërshtari të vendosur dhe mbrojtje të ngjeshur, trajneri u detyrua ta ndryshonte shpejt planin dhe të aktivizonte lojtarët kyç më herët se sa parashikohej. Lamine Yamal, Frenkie de Jong dhe Dani Olmo u hodhën në fushë në pjesën e dytë për të rikthyer ekuilibrin rezultativ dhe pastaj fitoren 2-1:
“Goli që pësuam ishte thjesht fatkeqësi. Zëvendësimi i Frenkie dhe Pedrit ishte i parashikuar, nga 45 minuta për secilin. Raphinha dhe Lamine me shumë mundësi do të kishin luajtur gjithsesi, ndoshta pak më pak. Megjithatë, arritën të pushojnë”.
Barcelona, me këtë fitore, jo vetëm që ruan kreun e klasifikimit në La Liga, por dërgon edhe një sinjal të qartë për vazhdimësinë. Edhe kur rotacioni është maksimal, ekipi katalanas vazhdon të fitojë. Sfida ndaj Interit pritet me padurim, teksa skuadra e Flick është gati për betejat e mëdha.
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






